Takimi i së martës mes Kurtit dhe Haradinajt pati kryetemë dialogun me Serbinë.

Megjithatë kryeministri Albin Kurti dhe Ramush Haradinaj që dikur mbante këtë pozitë diskutuan edhe për një çështje: padinë që Kosova mëton ta përgatisë kundër shtetit serb për gjenocidin e kryer gjatë luftës së fundit.

Haradinaj ka javë që pretendon se një dokument të tillë ia la në zyre Kurtit qysh në shkurt të 2020-ës, kur e mori mandatin e parë. Këtë e pohoi edhe të enjten në Rubikon të Klan Kosovës.

“Kurti kur ka ardhur në Qeveri e ka gjetur padinë e gatshme, dijen ma të lartë që e ka bota, ekspertizën e ka gjetur në tavolinë.”

Edhe zyrtarë të subjektit që e drejton Haradinaj i thanë televizionit se për padinë për gjenocid, ish qeveria që e drejtuan angazhoi ekspertë britanikë e amerikanë.

Ndonëse Kosova nuk është pjesë e OKB-së që të ushtrojë padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, thonë se si arsyetim e kanë përdorur rolin e Serbisë si suksesore e ish Jugosllavisë për krimet makabre.

Por se një padi të tillë e kanë gjetur në sirtarë nuk e konfirmojnë apo mohojnë edhe në qeverinë Kurti, 2 tashmë, as pas një jave prej kur televizioni ka dërguar pyetje pranë kabinetit të kryeministrit. Ky në fakt mbetet ende vetëm plan i ekzekutivit duke ditur se për herë të parë padia për gjenocid është futur edhe në programin qeveritar.