Nuk është proces i thjeshtë dhe i lehtë të flitet për dhjetë vjetët e ardhshme të vendit tonë, mirëpo ajo që dihet, është përcaktimi ynë euroatlantik.

Kështu ka thënë kryeministri Ramush Haradinaj në konferencën e organizuar nga Grupi për Hulumtimin e Politikave në Ballkan, Demokracia në Zhvillim dhe Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, me temë: “Dekada e ardhshme e Kosovës: Avancimi i Reformave, Bashkëpunimi rajonal dhe Integrimi Evropian”.

Sipas një njoftimi, kryeministri Haradinaj theksoi se Kosova është vend euroatlantik dhe përkrahë një politikë të përbashkët të shteteve të Bashkimit Evropian dhe SHBA-ve, si dhe të lidershipit të tyre.

Se çfarë do të ndodhë në dhjetë vjetet e ardhshme me Kosovën, kryeministri Haradinaj tha se ajo jemi ne, populli i Kosovës, kualiteti ynë qeverisës, vendimmarrës dhe mënyra se si i kryejmë punët tona.

“Në fund të këtij viti, besoj që Kosova e fiton një të drejtë, që është liberalizimi i vizave; në fillim të vitit që vjen mund të jemi aplikues për statusin kandidat, deri në fund të këtij viti mund të ndodhin edhe avancime të mëdha në arritjen e një marrëveshjeje me Serbinë”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri më tutje tha se marrëveshja me Serbinë është marrëveshje shumë sfiduese, sepse kërkon mobilizim të të gjithëve dhe nëse ndodhë ajo, atëherë perspektiva e Kosovës do të ishte e zakonshme dhe do t’i matnim reformat në përputhje me procesin e anëtarësimit në BE.

“Do të kthehej në një vend të zakonshëm, rutinë, do të bisedohej për hapjen e kapitujve, mbylljen e tyre, për një proces i cili do të mund të rezultonte i suksesshëm për një periudhë të caktuar kohore”, tha Kryeministri.

Sa i përket rreziqeve që ka për Kosovën, kryeministri Haradinaj tha se ajo që çdoherë e kemi deklaruar, është status quo-ja dhe rritja e influencave që janë armike, si, terrorizmi dhe këtu Kosova, nuk duhet të bjerë nën ndikimin e tyre.

Të pranishëm në këtë konferencë ishin edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, përfaqësues i Grupit të Deputetëve të Pavarur, Visar Ymeri, përfaqësues të institucioneve, të shoqërisë civile dhe të organizatave joqeveritare nga Kosova dhe rajoni.