Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka ndarë sot një medalje për familjen Fazliu nga Llausha e Podujevës për kontribut në çështje kombëtare, njofton LLapi.info.

Haradinaj, në një postim në Facebook, është shprehur se familja Fazliu ka kontribuuar për lirinë e Kosovës.

“Familja Fazliu nga Llausha e Besianës, me traditë atdhetare liridashëse, kontribuoi për Atdheun në të gjitha fazat historike të përpjekjeve për liri. Afrimi ishte prej udhëheqësve kryesorë të lëvizjes për liri, deri në rënien e tij heroike në nëntor të vitit 1989. Vëllai tjetër Bahriu, intelektual, vizionar e luftëtar lirie, ra heroikisht në përballje me armikun në majin e vitit 1998. Vëllai i dy Heronjve, Fadil Fazliu, ishte tërë kohën përkrah aktivitetit kombëtar, bashkë me vëllezërit e tij, duke vazhduar edhe pas çlirimit kontributin në ndërtimin e vendit. Sot me respektin më të madh, Fadilit i kam ndarë medaljen “ME BESIM NË ZOT, ATDHE E SHTET” për kontribut të jashtëzakonshëm në çështjen kombëtare”, ka shkruar ai./Llapi.info