Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se gjatë muajit prill ka një rënie prej mbi 57 mijë vende të punës.

Haradinaj me anë të një reagimi në Facebook, është shprehur se kjo shifër do të thellohet.

“Sipas të dhënave zyrtare të punësimit, argumentohet se rritja e numrit të vendeve të punës është ndikuar direkt nga masat e Programit për Rimëkëmbje Ekonomike. Derisa në vitin 2020 ishin deklaruar 403,709 vende pune, kjo shifër ka arritur në 411,692, në mars të këtij viti. Fatkeqësisht në muajin prill, sipas shifrave zyrtare shihet një rënie prej mbi 57 mijë vendeve të punës. Indikatorët ekonomik tregojnë se kjo shifër pritet të bie edhe më tutje”, shkruan Haradinaj, përcjell Telegrafi.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet sa më shpejtë të nxjerr vendim për masat e reja të rimëkëmbjes ekonomike.

“Duke pasur parasysh ndikimin e subvencionimit të bizneseve në krijimin e vendeve të qëndrueshme të punës, i rekomandojmë Qeverisë së Kosovës sa më shpejt të nxjerrë vendim për masat e reja të rimëkëmbjes ekonomike, të cilat duhet të përfshijnë edhe strategjinë dalëse nga kriza ekonomike, në mënyrë ekonomia e vendit të stabilizohet sa më shpejt. Në të kundërtën vazhdojmë të rrezikojmë thellimin edhe të mëtejshëm të krizës”, përfundon ai.