Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në një tubim parafushate të mbajtur sot në Podujevë, ka thënë se llapjanët, siç ka deklaruar ai, kanë përzgjedhjen më të mirë në zgjedhjet e tetorit, atë të AAK-së, Besnik Tahirin, raporton Llapi.info.

Duke shtuar se Llapit i duhet një qeverisje nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Haradinaj ka potencuar se angazhimi i strukturave të kësaj partie në degën e Podujevës, sipas tij, është pozitiv dhe domethënës.  

“Podujeva, jo vetëm që do ta zë hapin në ecjen përpara në qeverisje komunale vërtetë evropiane-perëndimore, por edhe drejt zhvillimit dhe kthimit të emrit dhe krenarisë së Llapit në të gjitha fushat. Besniku nuk është pa një sukses në karrierën politike, ka qenë zëvendësministër, ndërsa tani e kam shef të grupit parlamentar. Besnik Tahiri nuk është nga ata që s’e merr seriozisht projektin që ka hy. Për ata e thash më pëlqen me qenë si krejt dyjeja llapjan, se sot po ndodh diçka e mirë, njeriu i duhur, në vendin e duhur dhe në kohën e duhur me Besnik Tahiri. Jam i bindur se do t’i realizoj të gjitha premtimet programore. Jam i bindur se do të arrish të gjitha, bujqësinë, blegtorinë dhe të gjitha fushat tjera. Ju do ta ktheni Podujevën si qendër që më e ardhë edhe Prishtina dhe krejt Kosova në Llap”, ka thënë Haradinaj.

Kreu i AAK-së duke folur për gjendjen në të cilin ndodhet aktualisht Komuna e Podujevës, ka shtuar se Llapit, siç ka thënë Haradinaj, i duhet akoma zhvillim, e që të cilin, sipas tij, mund ta bëjë kandidati i Aleancës.

“Nëse ka dikush që mundet me kthy fokusin perëndimor për Podujevën, atë mund të bëjë Besnik Tahiri. Nuk them që s’ka ndodh zhvillim, por nuk është gjendja e mirë këtu. Shihet në të gjitha drejtimet që vije. Një shkollë e politike e Besnikut jam i bindur se do ta ndryshoni gjendjen e Podujevës. Pra, është koha që të jetohet në Podujevë dhe të kthehen me jetu këtu. Qyteti i Podujevës duhet ta ketë të parin Besnik Tahrin e Aleancës”, është shprehur ai.

Gjatë këtij tubimi, kandidati për kryetar të Podujevës, Besnik Tahiri, ka prezantuar edhe kandidatët për asamble komunale nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës./Llapi.info