Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka thënë që është dakord drejtë normalizimit të marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë. Haradinaj ka thënë se është dakord për pjesën se duhet të normalizohen marrëdhëniet në mes të Kosovës e Serbisë, duke shtuar se ju ka prezantuar vendeve të QUINT-it dhe BE-së draft marrëveshjen me Serbinë ku përfshihen tema të papërfunduara për njohje reciproke në kufijtë ekzistues.

Në citimin e tij Haradinaj shkruan se: “Bie dakord për domosdoshmërinë e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Qeveria i ka prezantuar QUNIT-it dhe Bashkimit Evropian draft marrëveshjen me Serbinë ku përfshihen tema të papërfunduara për njohje reciproke në kufijtë ekzistues. E ripërsëris, dialogu pa kushte, pa vonesa. TREGU për NJOHJEN”, ka shkruar Haradinaj.

Prishtina dhe Beogradi zyrtar nuk duket se do të lëvizin nga qëndrimet e tyre edhe pas kërkesës së vendeve të QUINT-it që të rinisin dialogun për përmirësimin e marrëdhënieve me qëllim arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi. QUINT, përmes një letre zyrtare i kërkoi Prishtinës heqjen e taksave ndaj produkteve serbe, ndërsa Serbisë i kërkoi që të ndalë aktivitetin kundër dhe për heqjen e njohjeve të Kosovës. Qeveria e Kosovës e udhëhequr deri tani nga kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj, thotë se “taksa është vendim i drejtë dhe dialogun nuk e ka ndërprerë pala kosovare”.

Deklarata e Haradinaj: Taksa ishte e nevojshme

“Qeveria e Republikës së Kosovës, konkretisht kryeministri Haradinaj gjithmonë ka punuar dhe ka qenë i qartë, në të drejtën e Kosovës për ta mbrojtur integritetin dhe sovranitetin e vendit. Kësisoj, vendimi për vendosjen e taksës ndaj produkteve të Serbisë dhe BH-së ka qenë veprim i nevojshëm në shërbim të mbrojtjes së interesave të Kosovës, nga veprimet armiqësore dhe kërcënimet e vazhdueshme të Serbisë kundër shtetit dhe institucioneve të Kosovës. Në vazhdimësi e kemi thënë tregu për njohje dhe këtë qëndrim vazhdojmë ta kemi”, thuhet në një deklaratë nga zyra e kryeministrit në dorëheqje Ramush Haradinaj. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli nga ana e tij, thotë se Kosova e mirëpret ndihmën e shteteve perëndimore për dialogun, por, ai kërkon nga BE-ja që të parandalojë tentativat serbe për destruktivitet në Kosovë.

“Ne duhet t’i mbrojmë interesat e Kosovës, por nuk do të jemi në gjendje ta bëjmë këtë pa partnerët tanë strategjikë. Prandaj, mirëpresim përpjekjet e SHBA-së, BE-së, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Francës dhe Italisë për zhvillimin e dialogut. Megjithatë, ne kërkojmë nga BE që ta parandalojë financimin e strukturave paralele në Kosovë nga Qeveria e Serbisë, të ndalojë projektet kolonizuese serbe përmes ndërtimit të lagjeve në Veri, të lejohet rindërtimi i shtëpive të djegura, atje ku shqiptarët jetonin para vitit 2001, si dhe të dënohen kriminelët dhe përdhunuesit serbë për krimet e kryera ndaj shqiptarëve të pafajshëm gjatë dhe pas luftës në Kosovë”, shkroi në profilin e tij kryetari i Kuvendit. Sipas Kadri Veselit, Kosova asnjëherë nuk e ka penguar dialogun.

“Madje jemi shprehur të gatshëm të ulemi në tavolinë, për një marrëveshje finale, ligjërisht të obligueshme, në kufijtë ekzistues dhe që çon në njohje reciproke. Ky proces nuk duhet të jetë i kushtëzuar”, thotë Veseli.