Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i ka reaguar kreut të Qeverisë, Albin Kurti, i cili ende ndodhet në Greqi.

Në një shkrim në rrjetin social Facebook, e ka pyetur Kurtin nëse do të kthehet në Kosovë, apo ia ka lënë Qeverinë siç ka thënë Hysenti e Liburnit.

“Albin, a don me u kthy në Kosovë apo e ke lënë Qeverinë në duart e Hysenit e Liburnit? E keni punësu mjeshtrin për mashtrime me tenderë, në mënyrë që Liburni me i shpërbly punëdhënësit e vet”, tha Haradinaj.

Tutje ka reaguar edhe për deklaratën e zëvendësminsitrit Hysen Durmishi lidhur me taksën shtesë prej 5 eurove, për automjetet.

Durmishi tha se “kjo marrëveshje si proces ka filluar në vitin 2018 në kohën kur Qeveria udhëhiqej nga Ramush Haradinaj e Ministria nga Pal Lekaj”.

E Haradinaj, e ka demantuar duke e quajtur manipulim dhe dezinformatë.

Po ashtu e ka pyetur Durmishin “pse po nënshkruani tenderë të paligjshëm dhe mundoheni të mashtroni që i keni gjete”?

Sipas tij, tenderi për taskën e re ka qenë i anuluar.

“Po, i keni gjetë, por me vendimet për anulim”, tha më tej.

“Qasja juaj opozitare e manipulimit dhe dezinformimit është e rrezikshme për shtetin e Kosovës, sidomos kur ju sot jeni duke e udhëhequr shtetin”, shkroi Haradinaj.