Në ceremoninë solemne të hapjes së fabrikës të re të xhamit nga “M-Technologie”, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, vlerësoi familjen Pacolli për këtë projekt dhe për krijimin e vendeve të reja të punës përmes kësaj fabrike.

Thaçi tha se hapja e kësaj fabrike është shembull i një Kosove moderne e evropiane, raporton Ekonomia Online.

“Sot për Kosovën është një ditë e veçantë, bëhet lansimi i projektit për teknologji prej më të mirave, jo vetëm në Kosovë, në rajon dhe më gjerë. Mirënjohje më të lartë, i nderuari zoti Pacolli, për këtë projekt dhe ky investim dhe shembuj të tillë tregojnë se Kosova e re, shteti ynë i ri ka krijuar kushte për afarizëm, për biznes, prodhim, ka krijuar kushte për prodhimin e mijëra vendeve të punës, siç keni bërë ju, për rritjen e mirëqenies sociale, siç keni bërë ju. Ky shembull është shembull i Kosovës moderne, Kosovës evropiane, Kosovës euroatlantike”.

Kjo fabrikë, sipas Kryeministrit Haradinaj është një dimension krejtësisht ndryshe, dhe i një rëndësie tejet të veçantë për Kosovën.

“Sot po shohim një dimension krejt ndryshe të vendit tonë, një dimension që pakkush prej nesh në Kosovë e dinë që ekziston. Pra, po e shohim dimensionin më të madh të mundshëm të investimit në rajon”, tha kryeministri Haradinaj.

Duke folur për rëndësinë e përurimit të kësaj fabrike, Kryeministri Haradinaj, tha se ndihet i lumtur që merr pjesë në ngjarje të tilla të cilat hapin vende të reja pune dhe janë në hap me zhvillimet teknologjike në botë.

“Ju siguroj që sot jemi dëshmitar të veprës më të madhe prodhuese të një investitori të vendit tonë dhe jo vetëm kaq, nuk është vepra më e madhe, por edhe gjenerata më e fundit e teknologjisë për të prodhuar dyer e dritare, fasadë dhe çdo produkt tjetër”, tha kryeministri Haradinaj, i cili shtoi se me këto produkte të prodhuara në Kosovë furnizohen shumë kompani me renome ndërkombëtare.

Ndërkaq, Drejtori i kësaj fabrike, Rrustem Pacolli, tha se ndihet i nderuar me pjesëmarrjen e të gjithë të pranishmëve sot, në një ditë shumë të rëndësishme për familjen e tij, por edhe Kosovën.

“Jemi mirënjohës për të gjithë ata që kanë qenë me ne në çdo rrugë dhe kanë kontribuar që të arrihet deri këtu. Kjo shënon kulminacionin e një rruge të nisur dhjetë vjet më parë. Rruga deri këtu ka qenë e gjatë dhe e mundimshme, dhe më së miri e di familja ime”, tha Pacolli.