Hamza: Pa rritje ekonomike 7%, të rinjtë nuk futen në treg të...

Hamza: Pa rritje ekonomike 7%, të rinjtë nuk futen në treg të punës

Kosova ka pasur rritjen më të madhe ekonomike nga vendet e rajonit, rreth 3.8 për qind, vitin e kaluar. Por, ekspertët e kësaj fushe pajtohen se kjo nuk është e mjaftueshme në rastin e Kosovës, për ta zvogëluar normën e papunësisë, përmirësuar deficitin tregtar dhe indikatorët e tjerë ekonomikë.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Bedri Hamza shprehet optimist se më 2016, dhe vitet në vazhdim, rritja ekonomike do të jetë më e madhe se 3,8 për qind, nëse implementohen suksesshëm projektet si Brezovica, projektet e investimit në energji, në infrastrukturën rrugore, hekurudhore dhe projektet e tjera të ngjashme, transmeton EkonomiaOnline.

Por, Hamza thekson se Kosova, sipas vlerësimeve, ka nevojë që të ketë një rritje ekonomike minimale prej 7 për qind me qëllim që t’i absorbojë gjeneratat e reja dhe t’i fusë në tregun punës.

Guvernatori Hamza flet për performancën e sistemit bankar në vitin 2015 dhe trendet e këtij fillimviti. Sipas tij, viti 2015 ka qenë ndër më të mirët për bankat, që kanë pasur rritje të kreditimit, depozitave dhe të aseteve.

Kreditë joperformuese në Kosovë, po ashtu, janë më të ulëta në rajon – vetëm 6.2%; ndërkohë që në rajon janë në shifra dyshifrore. Por, një pengesë për uljen e normave të interesit vlerësohet vonesa e zgjidhjeve të kontesteve gjyqësore. Aktualisht, në gjykata presin të zgjidhen mbi 10 mijë lëndë.