“Hamleti” do të inskenohet në kampin e refugjatëve

Teatri “Shakespeare’s Globe” do të inskenojë një performancë të shfaqjes “Hamleti” në kampin e emigrantëve në Calais, që ndryshe njihet si “Jungle”, në Francë.

Ngjarja e cila do të zërë vend më datën 3 shkurt është pjesë e një turneu të gjatë botëror të produksionit i cili së fundmi realizoi edhe një shfaqje për refugjatët e Jemenit në Djibouti, transmeton “Koha Ditore”. Drejtori artistik i teatrit “Globe”, Dominic Dromgoole, ka thënë se ky turne ishte “një tjetër shembull i shkëlqyeshëm i shfrytëzimit të teatrit si formë për të arritur tek popujt e zhvendosur”.

Rreth 6 mijë njerëz sa janë në “Jungle” jetojnë në kushte të rrezikshme dhe josanitare. Produksioni për realizimin e shfaqjes do të mundësohet nga “Good Chance”, një kompani teatrore e cila ka bazë në kampin e Calais.

“Si produksion i cili ka udhëtuar për audiencat në mbarë botën, është me vend që viziton edhe kampin e Calais, ku përfshihen njerëz të më shumë se njëzet kombeve”, kanë thënë drejtorët artistikë të “Good Chance”, Joe Murphy dhe Joe Robertson. Në dhjetor të vitit të kaluar Murphy kishte thënë për “BBC” se nevoja për stimulim intelektual është shumë e nevojshme për njerëzit që janë të strehuar në kamp.

“Ne jemi këtu për njerëzit që kanë nevojë për stimulim. Ata jetojnë në një ambienti i cili nuk u jep asnjë lloj emocioni apo ushqim për trurin”, ka thënë ai. Pas performancave në Paris dhe Monacu produksioni i “Globe” do të jetë në Malta me datën tetë shkurt ku audienca pritet të jetë e përbërë nga emigrantë libianë. Organizatorët kanë thënë se turneu do të përfundojë në muajin prill, dhe deri në atë kohë ata do të inskenojnë shfaqjen në secilin shtet të botës. Më 23 prill të vitit 2016, ditën kur edhe zyrtarisht do të përfundojë turneu, shënohet edhe 400-vjetori i vdekjes së Shakespearit.