Mbrojtësi anësor i Kosovës, Florent Hadërgjonaj, është shprehur mirënjohës ndaj tifozëve për mbështetjen e dhënë deri më tani, duke thënë se të gjithë janë krenarë prej nga vijnë.

Kosova e humbi shansin e parë për t’u kualifikuar në Kampionatin Evropian 2020 me ndeshjet e nëntorit – humbjen 2:1 në Çeki dhe humbjen 4:0 kundër Anglisë në “Fadil Vokrri”, raporton Gazeta Express.

Humbja kundër Çekisë e bëri matematikisht të pamundur për Kosovën që ta sigurojë kualifikimin në EURO 2020 përmes Grupit A, duke bërë kështu që ndeshja kundër Anglisë të ketë rëndësi më të vogël.

Pas këtyre dy disfatave, mbrojtësi anësor Hadërgjonaj, i cili në këto dy ndeshje luajti si mesfushor anësor, u shpreh i zhgënjyer që Kosova s’bëri më shumë, por shtoi se kjo është vetëm një betejë e humbur e jo luftë.

“Faleminderit populli ynë për mbështetjen e jashtëzakonshme që na keni dhënë, të gjithë jemi krenarë prej nga vijmë. Kemi dashur të bëjmë edhe më shumë, kemi humbur një betejë, por jo edhe luftën”, ka shkruar Hadërgjonaj në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook.

“Do të vazhdojmë të bashkuar si një familje për ta bërë ëndrrën realitet, që të kualifikohemi në Euro 2020. Jeni ju ata që na keni dhënë fuqi dhe besim për të synuar kualifikimin. FALEMINDERIT”.

Lufta s’është humbur pasi që Kosova e ka edhe një mundësi të dytë për t’u kualifikuar në Kampionatin Evropian – përmes play-offs të Ligës së Kombeve, ku në gjysmëfinale e pret Maqedonia Veriore, ndërsa në finale Gjeorgjia ose Bjellorusia.