Ka më shumë se pesë vjet që po lufton me sëmundjen e kancerit. Por, ajo nuk po dorëzohet. Me vullnet, buzëqeshje e përkushtim, Fatmire Ismaili po arrin ta mposht këtë sëmundje. 47- vjeçarja e sheh veten si një femër të fortë dhe të zonjën. Megjithëse për trajtimin e sëmundjes nga e cila vuan janë shpenzuar me mijëra euro, Ismaili u bën thirrje të gjitha grave, të cilat mund të preken nga kjo sëmundje, të besojnë në shërim dhe të mos e neglizhojnë në asnjë formë, por ta trajtojnë sëmundjen sipas këshillave të mjekut.

Fatmire Ismaili, nga Prishtina, besoi dhe ia doli që ta fitojë betejën me sëmundjen e kancerit në gji. Në tetor të vitit 2013, ajo u diagnostikua me këtë sëmundje, për t’u operuar vetëm disa muaj pas. Vazhdoi trajtimet mjekësore me përkushtim e vullnet për pesë vjet. Por, sëmundja asaj i është rikthyer në muajin mars të këtij viti.

“Gruaja e Hekurt”, rrëfimi i pacientes kosovare që po lufton me kancerin

Ajo për Gazetën Express, ka rrëfyer rreth vështirësive me të cilat po ballafaqohet për trajtimin e kësaj sëmundjeje si dhe për mënyrën se si po arrin ta mposht.

“Në tetor të vitit 2013 janë diagnostiku me sëmundjen e kancerit. Atëherë kam qenë 42-vjeçare. Në Kosovë i kam kryer operacionin, kimioterapinë dhe gjithë trajtimin. Operacioni mu më ka kushtuar shumë”, thotë ajo

Tutje zonja Ismaili tregon për vështirësitë financiare për trajtimin e kësaj sëmundjeje. Vetëm për tre muajt e parë të diagnostikimit, kurimi i ka kushtuar asaj rreth 17 mijë euro.

“Më kanë ndihmuar shumë kolegët e Ministrisë së Punëve të Brendshme e të tjerët. Të gjithë janë organizu edhe kanë mbledhë mjete. Për disa javë kam vazhduar rrezatimin dhe kamë qenë shumë e rregullt me kontrolle”, thotë ajo.

Por, lufta me këtë sëmundje për zonjën Ismaili nuk ka përfunduar ende. Ajo para dy javëve është operuar sërish. Këtë herë në gjirin e majtë. Pacientja u operua në një klinikë private në Kosovë nga doktori Elvis Ahmeti.

“Në muajin mars, prapa veshit e pashë një kokërr. I bëra krejt analizat e nevojshme, biopsinë si dhe u operova para disa ditëve prapë nga kanceri në gji. Tash po ndihme mirë. Për fat të mirë vetëm Zoti dhe shoqëria që më ka ndihmuar”, rrëfen ajo.
Trajtimin e sëmundjes ajo thotë se e ka kryer edhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Por, për këtë pjesë ajo i ka disa vërejtje.

“Për stafin mjekësor në QKUK nuk kam vërejtje. Mirëpo, për barna tmerr është në Onkologji. Unë nuk e di si nuk iu vjen turp që të thonë se ka barna. Së pari ‘gentamicina’ aty nuk ka. Të gjitha duhet që t’i bëjmë në privat, biopsinë, analizën e të tjerat. Kam kërkuar ndihmë në MSH epur trajtimin e sëmundjes, por ata më thoshin jo shko në QKUK se aty janë barnat”, shpjegon ajo.

Por pavarësisht sfidave për trajtim, ajo e buzëqeshur dhe plot vullnet për jetë jep mesazh për gratë që preken nga kjo sëmundje.

“Unë dua që t’iu lutem të gjitha femrave, kjo sëmundje është e vështirë, duhen para, kohë e mjete. Duhet vetëm ta keni vullnetin dhe të mos dorëzoheni. Nuk e kam ndërmend që të dorëzohem. Është sëmundje e zorshme, por unë e kam vullnetin. Duhet përkrahje”.

“Unë që pesë vite e kam luftuar, tash prapë më ka prekë në anën e majtë, prapë jam bërë operacion. Iu kisha lutë të gjithëve që me qenë strikt në kontrolle. E dimë që ka shpenzime po më mirë me qenë shpenzim i shpejtë. Kjo sëmundje ka shërim vetëm duhet përkushtim. Edhe më patën ra flokët, thonjtë lëkura, unë ashtu kam shkuar në punë, asnjëherë nuk jam ndalë dhe kështu po arrij që ta mund. Do ta kaloj edhe këtë krizë”, rrëfen 47 vjeçarja nga Prishtina.

Gjithë vitit 2017 furnizimi me barna për institucionet publike shëndetësore është paraqitur si sfidë për shumë sëmundje në Kosovë, përfshirë edhe ato të kancerit. Profesionistë shëndetësorë thonë se kanceri i gjirit prin si sëmundje te gratë.

Si rrjedhojë, në Kosovë në vitin 2015, është vënë në shërbim të grave mamografi mobil, përmes së cilit gratë mund të bëjnë falas kontrollin e gjirit. Ka qenë grupi i grave deputete që ka iniciuar blerjen e mamografit mobil, në mënyrë që të kenë qasje të gjitha gratë në gjithë territorin e Kosovës.

Zyrtarë shëndetësorë kanë deklaruar se vetëm gjatë vitit 2016, në gjithë Kosovën, përmes këtij mamografi janë zbuluar rreth 50 raste me kancer në gji.