I dërguari i posaçëm i administratës Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell do ta vizitojë Kosovën, ia kanë bërë të ditur jozyrtarisht KOHËS burime brenda Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Sipas këtyre burimeve, vizita ndërmerret në vazhdën e marrëveshjes Kosovë-Serbi për normalizim ekonomik, të firmosur në Washington, në fillim të shtatorit.

Në vizitë me Grenellin do të jetë edhe delegacioni i Korporatës Ndërkombëtare të Financave të Zhvillimit (DFC)

KOHA i ka dërguar pyetje DFC-së, por ende nuk ka marrë përgjigje.

Në fillim të kësaj jave, Korporata Financiare për Zhvillim Ndërkombëtar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (DFC) nënshkroi letrat e interesit bashkë me Bankën për Eksport-Import (EXIM) për të nisur procedurat për ndërtimin e autostradës që pritet të lidhë Kosovën dhe Serbinë, pjesë kjo që sipas njoftimit zyrtar, ka qenë pikë kyçe në bisedat për normalizim mes dy shteteve.