Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Presidenti Donald Trump janë të interesuar që të zgjidhin problemet dhe çështjet e hapura në bisedimet Kosovë – Serbi, ka deklaruar të mërkurën mbrëma në Prishtinë, ambasadori Richard Grenell.

Ai po qëndron në Prishtinë në cilësinë e të dërguarit të Posaçëm të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ambasadori Grenell dhe presidenti Thaçi
Ambasadori Grenell dhe presidenti Thaçi
Komentet e tij, Grenell i ka bërë ndërsa po fillonte një darkë pune me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

”Ne duam që të arrijmë progres në këtë rajon, në Kosovë, në Serbi në planin ekonomik”, tha Grenell, duke nënvizuar se “të rinjtë kanë nevojë për vende pune”.

Përqëndrimi në planin ekonomik, tha ai, është në fokus të administratës së presidentit Trump.

Në anën tjetër, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se dëshironte ta falënderonte ambasadorin Grenell dhe presidentin Trump për marrëveshjen e arritur për vendosjen e linjës ajrore Prishtinë – Beograd.

“Atë që nuk arrijnë ta bëjnë të tjerët e bëri ambasadori Grenell”, tha Thaçi.

“Kam besim se nën lidershipin e presidentit Trump do të arrijmë te marrëveshja finale për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë e cila do t’i kontribuojë shumë paqes e stabilitetit”, tha Thaçi.

Thaçi tha se e ka njoftuar ambasadorin Grenell me vendimin e tij për nominimin e mandatarit për qeverinë e re. Por, shtoi se ambasadori ndodhet në Prishtinë për dialogun Kosovë – Serbi dhe jo për çështjen e formimit të qeverisë.

Ambasadori amerikan, pritet të qëndrojë edhe të enjten në Prishtinë, me ç’rast do të zhvillojë takime me liderët politikë, përfshi edhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, të mandatuarin për kryeministër, Albin Kurti.

I pyetur nga gazetarët se a ka ndonjë preferencë në lidhje me koalicionin e ardhshëm qeverisës, Grenell tha shkurt “jo”.

Takimet e tij me liderët politikë vijnë në kohën kur në Prishtinë, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës po zhvillojnë negociata për formimin e qeverisë së re, por të cilat deri më tani nuk kanë sjellë ndonjë marrëveshje.

Pas Kosovës, Grenell do të qëndrojë në Beograd. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka paralajmëruar se do të takohet me Grenellin në Beograd.

Vuçiq ka thënë për televizionin publik serb nga Forumi Ekonomik Botëror, që po mbahet në Davos të Zvicrës, se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të gatshme që t’i dëgjojnë kërkesat dhe problemet e Beogradit lidhur me Kosovën.

Grenell viziton Kosovën dhe Serbinë disa ditë pasi ka ndërmjetësuar arritjen e marrëveshjes ndërmjet dy palëve me kompaninë gjermane “Lufthansa“ për vendosjen e linjës ajrore Prishtinë – Beograd.


Presidenti Trump e quan fitore marrëveshjen për fluturimet Kosovë-Serbi
Ambasadori amerikan Grenell ka qëndruar në Kosovë në tetorin e vitit 2019, kur është takuar me Thaçin si dhe me liderët e tjerë politikë në Kosovë. Nga presidenca e Kosovës, patën thënë aso kohe se Grenell ka deklaruar që marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të vendosë bazën për zhvillim ekonomik dhe do t’i kontribuojë mirëqenies së të gjithë qytetarëve.

Në bisedimet me Albin Kurtin, liderin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe mandatarin për qeverinë e re, Grenell pati theksuar se mungesa e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është pengesa kryesore për investimet e huaja në ekonominë e Kosovës.

Por, bisedimet për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, janë ndërprerë në fund të vitit 2018, pasi Qeveria e Kosovës vendosi taksë ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Beogradi kushtëzon pjesëmarrjen në bisedime me heqjen e kësaj takse./REL