Google ka ndryshuar disa veçori të saj dhe ka vendosur për fshirjen automatike të të dhënave që mbledh nga përdoruesit e vet. Aktiviteti në ueb dhe aplikacion, përfshirë edhe hyrjet në uebfaqe dhe faqet e shfletuara, do të fshihen brenda një periudhe prej 18 muajsh. Historia në YouTube, përfshirë videot e shikuara, do të fshihen pas 36 muajsh.

Ndryshimet janë aplikuar fillimisht në llogaritë e reja, por edhe përdoruesit më të vjetër do të kenë mundësi të bëjnë ndryshime në pajisjet e tyre.

Vendimi vjen pasi Google dhe kompanitë e mëdha teknologjike u kritikuan për mbledhjen e të dhënave të përdoruesve. Revista “The Wall Street Journal” ka raportuar se Departamenti Amerikan i Drejtësisë do të takohet me kryeprokurorët për të folur rreth planeve për dënimin e Google-s për sjellje jokonkurruese, përfshirë akuzën se abuzoi me dominimin në kërkimet online.

Të martën një gjykatë gjermane vendosi masa ndaj Facebookut për mbledhjen e të dhënave të përdoruesve lokalë. Shkas u bënë shqetësimet se rrjeti social ka abuzuar me pozitën në treg.

Google prezantoi kontrollin e fshirjes automatike në majin e vitit 2019.

“E dimë se informacioni i bën produktet tona më të dobishme”, ka thënë menaxheri i produkteve të Google, David Monsees. “Por minimizimi i të dhënave është një prej principeve të rëndësishme të privatësisë dhe Google nuk do të mbajë të dhënat pa lejen e përdoruesve”, ka sqaruar ai.

Google ka sqaruar se mbajtja më e gjatë e të dhënave në YouTube do të ndihmojnë në rekomandimet muzikore. Mirëpo Google ka njoftuar se sistemi i fshirjes automatike nuk do të aplikohet në aplikacionet e tjera si Photos e Gmail.

Gjiganti i internetit ua ka mundësuar përdoruesve që të kenë mundësi për vendosjen e sistemit të automatizuar të fshirjes në një periudhë tremujore. Përdoruesit më të vjetër të Google do të ndikohen nga këto masa, por do të kenë udhëzime për opsionet e prezantuara nga gjiganti teknologjik. Për shembull, ata që do të përdorin Google Search do t’u hapet një dritare për rregullimin e privatësisë dhe fshirjes së tyre për një periudhë të caktuar.