Gjykimi për terrorizëm në Podgoricë: Rusët më thanë ta vras Gjukanoviqin

Në vazhdimin e sotëm të gjyqit ndaj të akuzuarve për tentim për terrorizëm në Mal të Zi gjatë zgjedhjeve të vitit 2016, është marrë në pyetje dëshmitari bashkëpunëtor, i cili ka thënë se ka refuzuar të kryejë urdhrin e marrë nga një rus për ta vrarë Milo Gjukanoviqin, transmeton Gazeta Express.

Para Gjykatës së Lartë në Podgoricë dëshmitari bashkëpunëtor Sasha Singjeliq deklaroi se e ka refuzuar detyrën që ia ka dhënë shtetasi rus Eduard Shimakov për ta vrarë kryeministrin e atëhershëm Milo Gjukanoviq, raporton B92 i Beogradit.

“Në të njëjtin çast kur më pyeti unë e dija se nuk kam mundësi ta bëj atë, sepse situata e sigurisë ishte e keqe, e unë s’merrem me kriminal”, ka thënë Singjeliq.

Në dëshminë gjatë një seance të mëhershme, në fund të tetorit të kaluar, Singjeliq ka sqaruar se si ka rënë në kontakt me Shimakovin në një kamp të refugjatëve në Rostov të Rusisë. Kanë pasuar disa takime në të cilin rusi e ka bindur se “qarqe të fuqishme në Moskë” janë shumë të interesuara që zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi t’i fitojë opozita, për shkak të synimit të pushtetit, të udhëhequr nga Gjukanoviqi, që ta anëtarësojë shtetin në NATO.

Policia malazeze në aksion pas tentimit të pasukseshëm, të organizuar nga Rusia dhe Serbia, për grusht-shtet në Mal të Zi, në tetor 2016
Duke rrëfyer për një takim në Moskë, që është mbajtur vetëm pak javë para zgjedhjeve të 16 tetorit 2016, Singjeliq tregon se Shimakov i ka thënë se “kemi dhënë tepër shumë para për këtë fushatë, kemi informata se Mali i Zi dëshiron në NATO dhe, nëse opozita tash s’fiton s’ka më kthim prapa”. Dëshmitari ka treguar edhe se lidhja e tij ruse i ka paguar mbi 200 mijë euro dhe mbi 10 mijë dollarë, transmeton Expressi.

Në seancën e sotme Singjeliq i përsëriti akuzat se rusët kanë ardhur me ftesë të partisë opozitare pro-serbe në Mal të Zi Fronti Demokratik, liderët e të cilit Andrija Mandiq dhe Milan Knezheviq, si dhe vozitësi zyrtar i partisë Mihajlo Çadjenoviq janë ndër të akuzuarit për tentim terrorizmi.

Me akuzën e Prokurorisë Speciale janë të përfshirë, ndër të tjerët, dy shtetas rusë, Eduard Shishmakov dhe Vladimir Popov, si dhe nëntë shtetas serbë.