Gjykata Themelore në Pejë ka vendosur masën e paraburgimit ndaj Faton Brahimit, i dyshuar për vrasjen e djalit të axhës së tij, Bashkim Brahimit, më 24 prill të këtij viti, në fshatin Novosellë të Pejës, shkruan Gazeta Sinjali.

“Me datë 24.04.2021, rreth orës 14:30 minuta, në oborrin e tani të ndjerit, me dashje e për shkak të mosmarrëveshjeve të mëparshme dhe të atëçastshme rreth pronës, në mes të pandehurit dhe tani të ndjerit, gjersa tani i ndjeri ishte duke e thurur pronën, vie deri tek konflikti verbal lidhur me pronën, me ç’rast i pandehuri nga shtëpia e tij merr armën dhe gjuan në drejtim të tani të ndjerit dhe si pasojë e goditjeve nga arma tani i ndjeri nga plagët e shkaktuara vdesë gjersa i pandehuri së bashku armë largohet nga vendi i ngjarjes.

Të pandehurit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji pasi që gjykata vlerësoi se ekziston dyshimi se i njëjti e ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet dhe duke e pas parasysh se i pandehuri ka qenë në arrati dhe duke e marrë parasysh peshën e veprës penale, mënyrën e kryerjes, afërsinë familjare me të ndjerin, vendin dhe kohën e kryerjes së veprës penale, gjykata ka gjetur se me gjetjen e mundshme të pandehurit në liri, i njëjti mund të ikë apo mund të ndikojë në dëshmitarë e me këtë të pengoj rrjedhën normale të procedurës penale. Andaj, gjykata ka vlerësuar se paraburgimi është masa adekuate për sigurimin e prezencës së tij në procedurë.”

Brahimi ndodhej në arrati që nga dita tragjike, ndërsa ishte shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës një ditë më pas, më 25 prill.

I dyshuari (Fatoni) dhe viktima (Bashkimi) ishin familjarë mes vete, djem të axhës dhe dyshohet se vrasja ka ndodhur për motive pronësore.

Ditën kur ndodhi vrasja, policia ka kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarit, ku ka gjetur dhe ka konfiskuar: Një mitraloz, një pistoletë, pajisje për pastrim të armës, 890 fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe pesë predha, po ashtu kalibra të ndryshëm.