Gjykata e Apelit ka ashpërsuar dënimin me burgim ndaj të akuzuarit Fisnik Lajqi, ku ky i fundit akuzohej për plagosjen e nipit të Ramush Haradinajt, Mustafë Ahmetxhekaj.

Dënimi me 1 vit e 8 muaj burgim efektiv dhe 800 euro gjobë ndaj Lajqit, i shqiptuar nga Gjykata Themelore e Pejës, për tentim vrasje, shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtje pa leje, është konsideruar i butë nga Gjykata e Apelit.

Kjo pasi Apeli ka aprovuar ankesën e Prokurorisë së Pejës dhe ndaj tij ka rritur dënimin me burgim në 3 vite e 8 muaj dhe 800 euro gjobë.

Një vendim i tillë është marrë nga kolegji i gjykatësve të Apelit, i përbërë nga kryetari Xhevdet Abazi, me anëtarët Afërdita Bytyqi dhe Kreshnik Radoniqi.

Deri të ashpërsimi i dënimit ndaj Lajqit, sipas Apelit ishte pasi Gjykata e Pejës, kishte shqiptuar dënim të butë duke mbivlerësuar rrethanat lehtësuese ndërsa rrethanat rënduese nuk ishin vlerësuar objektivisht.

“Kolegji vlerëson se rrethanave të shpjeguara më lart nuk u është dhënë rëndësi në përcaktimin e dënimit dhe të njëjtat ndikojnë që dënimi të jetë me i ashpër dhe jo në kufijtë minimal, kolegji konkludon se gjykata e shkallës se parë ka vlerësuar vetëm rrethanat lehtësuese, duke i mbipeshuar në përcaktimin e dënimit që ka rezultuar në një vendim mbi dënimin që nuk i përgjigjet perspektivës së arritjes se qëllimit të dënimit”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës se Apelit.

Apeli arsyeton se edhe përkundër faktit se i akuzuari Fisnik e kishte pranuar fajësinë, ishte penduar dhe ishte pajtuar me familjen e të dëmtuarve, këto rrethana nuk justifikojnë të shqiptohet dënim i butë.

Kjo pasi sipas Apelit, Gjykata e Pejës nuk kishte vlerësuar faktin se i pandehuri kishte kryer tri vepra penale të rrezikshme, duke shtënë në drejtim të të dëmtuarit Mustafë dhe duke plagosur edhe një kalimtar të rastit.

“Sipas vlerësimit të kolegjit këto rrethana janë mbivlerësuar sidomos në lidhje me të akuzuarin F.L., ndërsa rrethanat rënduese nuk janë vlerësuar sa duhet kur kihet parasysh fakti se i akuzuari F.L. ka kryer tri vepra penale, të cilat paraqesin rrezikshmëri të lartë dhe me kapacitet për dëm serioz për jetën dhe shëndetin e njerëzve, duke shtënë me revole tri herë në ambient të jashtëm në të dëmtuarin M.A. të cilin e ka goditur me dy plumba dhe i ka shkaktuar lëndime të renda trupore, ndërsa një predhë e ka goditur kalimtarin e rastit T.Q. dhe i ka shkaktuar lëndime të renda trupore”, thuhet në arsyetimin e Apelit.

Kurse pretendimet e mbrojtësit të akuzuarit, avokatit Gëzim Kollqaku se gjykata e shkallës së parë nuk kishte vlerësuar faktin se i mbrojturi i tij kishte qenë i provokuar nga i dëmtuari, Apeli këtë pretendim e ka cilësuar si të përgjithësuar duke e refuzuar si të pabazuar.

Ndërsa për të pandehurin Demokrat Lajqi i cili për shkak të veprës së sulmit është dënuar me 200 euro gjobë nga Gjykata e Pejës, Apeli këtë dënim e ka marrë si të vërtetuar.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Pejë më 4 mars 2021 kishte shqiptuar dënim me burgim efektiv ndaj të pandehurit Fisnik Lajqi për veprën penale të tentim vrasjes, shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtje paleje, pasi i njëjti kishte pranuar fajësinë.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, Sami Sharraxhiu, i pandehuri Lajqi për tentim vrasje ishte gjykuar me 15 muaj burgim, shkaktim të rrezikut të përgjithshëm 10 muaj burgim, dhe 800 euro gjobë për armëmbajtje paleje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Duke zbatuar dispozitat e dënimit unik, ndaj Lajqit u shqiptua dënim me 1 vit e 8 muaj burgim dhe 800 euro gjobë dhe konfiskim i armës.

Kurse i akuzuari Demokrat Lajqi ishte dënuar me 200 euro gjobë për veprën penale të sulmit, të cilën do ta paguaj brenda afatit prej 30 ditësh.

Ndryshe, sipas aktakuzës të ngritur më 14 dhjetor 2020, nga Prokuroria Themelore në Pejë, Fisnik Lajqi akuzohet se më 10 tetor 2020, rreth orës 12:15, në rrugën “Eliot Engel”, me dashje ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin Mustafë Ahmetxhekaj.

Sipas akuzës, në mëngjesin e ditës kritike, fillimisht i dëmtuari Mustafë fjaloset verbalisht me të pandehurin Fisnik dhe dëshmitarin Nazmi Lajqi në lokalin “Dushkaja” në Pejë, për shkak se i pandehuri Fisnik e kishte sharë Ramush Haradinajn (të cilin i dëmtuari Musafë e ka dajë), ashtu që po të njëjtën ditë, derisa dëshmitari Nazmi ka qenë duke hyrë në veturën e autoshkollës afër Fakultetit të Biznesit, ndalohet nga i dëmtuari Mustafë i cili e ndalon veturën e tij të tipi Porrsche, krahas veturës të dëmtuarit, del nga vetura për të biseduar me të, ashtu që në ato momente arrinë i pandehuri Fisnik dhe me të parë të dëmtuarin afër veturës së tij, nga brezi nxjerrë revolën e tipit “TT”, nga afërsia dhe nga prapa shtie tri herë në drejtim të dëmtuarit ku me dy plumba duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Fisnik Lajqi akuzohet edhe për veprën penale të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtje paleje duke vepruar siç është përshkruar në dispozitivin i të aktakuzës.

I pandehuri Demokrat Lajqi akuzohet se në ditën kritike ka përdorë forcën ndaj të dëmtuarit Mustafë, pasiqë i pandehuri e sheh të dëmtuarin afër dëshmitarit Nazmi të cilin e ka djalë të axhës, i afrohet të njëjtit dhe nga pas e godet në kokë me grusht dhe largohet nga vendi i ngjarjes

Me çka ka kryer veprën penale të “Sulmit”, nga neni 184 par.1 të KPRK-së.