Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, tha se Albin Kurti në fakt nuk hoqi taksat për mallrat serbe.

“Kryeministri i Institucioneve të Përkohshme të Prishtinës, Albin Kurti, ka njoftuar – për të qenë të saktë – vetëm një pezullim të taksave dhe kjo është e kushtëzuar, përderisa prezantoi masat e reja ndëshkuese për qytetarët tanë dhe ekonominë, të cilat ai i quan reciprocitet”, tha Gjuriq në një deklaratë me shkrim, njofton Klan Kosova.

Gjuriq tha se Prishtina vazhdon të “luajë” me çështjen dhe perspektivën ekonomike të shoqërisë së Kosovës dhe se vendimi për reciprocitet është një “lojë” që synon bashkësinë ndërkombëtare.

Ai tha se vendimi nuk e “depërshkallëzoi” situatën midis Serbisë dhe Kosovës

“Sidoqoftë, besoj se nuk është aspak koha për masa si ato të miratuara nga Prishtina, por kjo është një kohë kur edhe dallimet e thella dhe thelbësore me Prishtinën duhet të mënjanohen dhe kur të gjithë duhet të punojmë me forcë dhe direkt për të kapërcyer epideminë, e cila nuk ia di për kufijtë, angazhimet politike, fenë dhe kombin”.