Drejtori i së ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Serbi, Marko Gjuriq ka thënë në një intervistë për Radio Televizionin Serb se ai e kupton frustrimin e biznesmenëve që jetojnë në pjesën veriore të Kosovës, duke thënë se ata janë ngopur nga politike. Ai madje ka akuzuar qeverinë e Kosovës, duke thënë se taksa e ka shkaktuar këtë ‘krizë’

“Shtatë muaj janë mbytur nga taksa, shtatë muaj tentuan t’ia parandalojnë një jetë dhe tregti normale në veri të Kosovës, e më pas janë habitur pse ata janë revoltuar” tha Gjuriq.

Gjuriq gjithashtu pretendon se kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe shumë të tjerë po përpiqen që t’i fajësojnë serbët për ‘krizën’.

“A është i vërtetë fakti se serbët janë fajtorë se policët e tij (Ramush Haradinajt) dhe njerëzit e tij kanë gjuajtur mbi kamionët që tregtojnë produkte ushqimore” tha Gjuriq.

Ai tha se ekzistojnë vështirësi sidomos javët e fundit. “Njerëzit disi gjejnë rrugën e tyre për të siguruar produkte në mënyrë alternative, por para disa jave erdhën më të fuqishëm, për ta provuar sovranitetin e rremë të Kosovës e duke sulmuar kamionë që dorëzojnë miell, qumësht e çdo gjë tjetër” tha ai.