Drejtori i të ashtuquajturës Zyre Serbe për Kosovën, Marko Gjuriq deklaroi sot se Beogradi dëshiron të diskutojë çështjen e Kosovës me të gjithë, por gjithashtu theksoi se askush nuk mund të imponojë zgjidhje dhe se askush nuk mund ta detyrojë Serbinë të njohë pavarësinë e Kosovës.

Ai tha për Prva TV se Beogradi do të bënte çmos për të qenë një mikpritës i mirë i emisarit të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, i cili arrin sot në Prishtinë.

Lajçak do ta vizitojë Kosovën nga sot, 15 qershor deri më datën 18 qershor.

Kjo do të jetë vizita e parë e tij prej se e ka marrë detyrën e përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd.

Në Kosovë, Lajçak do të takohet me udhëheqjen politike, përfaqësuesit e partive politike dhe të komunitetit ndërkombëtar në Kosovë, si dhe krerët e misioneve të vendeve anëtare të BE-së. PPBE-ja planifikon të diskutojë kushtet dhe modalitetet për një rifillim të shpejtë të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja mes Prishtinës dhe Beogradit, njofton Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë transmeton Klan Kosova.