Gjosha, përgjegjësi për procesin e integrimit

Gjosha, përgjegjësi për procesin e integrimit

Përgjegjësitë e ministrive për procesin e integrimit, detyrat dhe pozicionet e vetë ministrave kanë bërë që ministrja e Integrimit Evropian Klajda Gjosha të drejtohet me tone disi të ashpra gjatë prezantimit të planit Kombëtar të Integrimit Evropian 2016-2020.

Ajo vuri theksin në përmbushjen e 5 prioriteteve kyçe të procesit të Integrimit të Shqipërisë në BE. Risi në këtë fazë do të sjellë monitorimi dhe raportimi mujor për të gjitha zhvillimet.

“Janë 5 prioritete kyçe për të plotësuar ku ne punojmë çdo ditë. Ka një risi në këtë plan kombëtar, pasi për herë të parë është bërë kostimi i të gjitha masave, në bashkëpunim me ministritë e linjës.

Monitorimi nga Ministria e Integrimit për planin kombëtar të integrimit do të bëhej çdo tre muaj, por unë kam kërkuar të bëhet çdo muaj. Fokusi do të vihet tek kapitujt.

Dua t’u tërheq vëmendjen se do të jemi në monitorim mujor, kjo do të thotë që grupet ndërinstitucionale të punës duhet të mblidhen çdo tre javë. Këto takime duhet të kryhen, dhe në momentin që ato kryhen bëhet dhe raportimi direkt pranë MIE.

Ka pasur disa ministri që e kanë neglizhuar dhe ky është detyrim madhor. Duhet të jenë personat përgjegjës, për të qenë pjesëmarrës në këto takime. Nuk ka një memorie institucionale. Tërheq vëmendjen dhe zv. ministrave që duhet të jenë në krye të këtyre mbledhjeve.

Nëse mbledhjet drejtohen nga shefat e sektorit nuk është e njëjta rëndësi. Unë realisht do t’u kërkoja vëmendje më të madhe se vetë vendi po ecën drejt një procesi me përgjegjësi më të madhe, po dhe punë më të shtuar”, ka theksuar ministrja Gjosha gjatë takimit të komitetit të koordinimit për integrimin në BE.