Me emërimin e Jack Smith si kryeprokuror në Gjykatën Speciale, i është hapur rrugë ngritjes së aktakuzave të para nga kjo Gjykatë.

Para një muaji, Gjykata Speciale bëri të ditur edhe listën e plotë të mbrojtësve me gjithësej 87 avokatë, shkruan lajmi.net.

E ndonëse janë plotësuar të gjitha kushtet për fillimin e punëve, avokatët mbrojtës ende nuk e dijnë se kur do të ngriten aktakuzat e para.

Avokati, Bajram Tmava, tha për lajmi.net se nuk ka ende ndonjë afat për ngritjen e këtyre aktakuzave të para, megjithatë në ditët e ardhshme do të zhvillohet një takim ku do të qartësohen disa gjëra.

“Nuk dihet ende ndonjë afat, vetëm se është konfirmuar lista e avokatëve, së shpejti do të kemi një takim ndërsa për të tjerat ende nuk dihet”, tha Tmava për lajmi.net.

E se Gjykata i ka plotësuar të gjitha kushtet për ngritjen e aktakuzave të para e kishte deklararuar për lajmi.net, edhe avokati tjetër, Tahir Rrecaj.

“Me emërimin e Kryeprokurorit të ri të dhomave të specializuara, dhe me akreditimin e avokatëve mbrojtës janë plotësuar të gjitha parakushtet ligjore që procedurat për ngritjen e aktakuzave dhe procedurat e mëtejshme gjyqësore mund të zbatohen”, kishte thënë avokati Rrecaj.

Ndryshe, kryeprokurori i ri, Jack Smith erdhi në krye të Gjykatës Speciale pas dorëheqjes së David Schëendiman për shkak të përfundimit të mandatit.