Sipas të dhënave të faqes “Our World in Data”, numri i rasteve të reja të koronavirusit për 24-orëshin e fundit në Gjermani është i dyti më i larti që nga prilli.

Të enjten, në shtetin me popullsinë më të madhe në Evropë u regjistruan 2,194 raste dhe shifra e përgjithshme e personave të infektuar shkoi në 265,857, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Hera e fundit kur shifra ditore e rasteve ishte mbi 2,000 ishte data 21 gusht, ndërsa para kësaj date, hera e fundit kur kishte më shumë raste për një ditë ishte më 24 prill.

Përpos infektimeve, gjatë kësaj periudhe u regjistruan edhe tre të vdekur dhe shifra e përgjithshme e viktimave shkoi në 9,371.

Ndryshe, qeveria gjermane tashmë i ka larguar kontrollet kufitare me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe me disa vende të tjera.

Ndonëse është në mesin e shteteve evropiane me numrin më të lartë të personave të infektuar, Gjermania ka regjistruar shumë më pak viktima se Britania e Madhe, Franca, Italia e Spanja.