Një i ri ka qëlluar për vdekje gjashtë anëtarët e familjes së tij – përfshirë prindërit. E gjithë ngjarja e tmerrshme ka ndodhur në qytezën gjermane Rot am See, ka njoftuar policia gjermane gjatë një konference për media, raporton BBC.

I dyshuari 26-vjeç i kishte telefonuar shërbimeve emergjente gjatë pauzës së drekës, të cilëve u tha se ka qëlluar me armë disa persona në një restorant, transmeton Telegrafi.

Sulmuesi që kishte licencë për armë, është arrestuar nga policia me të mbërritur në vendin e ngjarjes. Ndërkaq trupat e tre burrave dhe tri femrave, janë gjetur brenda restorantit ku ndodhën të shtënat.

Viktimat ishin të moshës nga 36 deri më 69 vjet, ka bërë të ditur policia gjermane në Baden-Wurttemberg. Ndërkaq dy të afërm të kësaj familje janë lënduar, ku njëri prej tyre është në gjendje kritike.

Në anën tjetër policia ka njoftuar se i dyshuari kishte kërcënuar edhe dy adoleshentë – gjithashtu anëtarë të familjes, por të rinjtë kanë shpëtuar pa ndonjë lëndim.

Të shtënat besohet se kanë ndodhur pas një mosmarrëveshje në familje. E policia janë duke u munduar të përcaktojnë motivin e saktë të shtënave. Deri më tani nuk ka dëshmi se dikush tjetër mund të ketë qenë i përshirë në të shtënat që tronditën Gjermaninë.

Kujtojmë që të shtënat kanë ndodhur rreth orës 12:45 sipas kohë lokale, brenda një ndërtese në Bahnhofstrasse në të cilin gjendej edhe restoranti Kaiser.

Tërë zona ku kanë ndodhur vrasjet është mbyllur nga ekipet e forenzikës që janë duke punuar në zbardhjen e rastit.

Rot am See është një qytezë me vetëm 5 mijë banorë në Schwabisch në verilindje të Shtutgardit, ndërkaq mediat lokale raportojnë se i dyshuari është rreth të 30-ve.