Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi i Komunës së Podujevës në mbledhjen e mbajtur sot, gjendjen e sigurisë në komunë e ka vlerësuar të qetë dhe stabile si dhe është informuar për gjendjen e pyjeve; për rastet e kthimit dhe integrimit të qytetarëve në pronat e tyre si është informuar për projektet që ndikojnë në sigurinë e qytetarëve.

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) i Komunës së Podujevës, në mbledhjen e kryesuar nga nënkryetari i Komunës, Nexhmi Rudari, ka shqyrtuar raportin e Policisë se Kosovës dhe KFOR-it për gjendjen e sigurisë në Komunë; informatën për gjendjen e pyjeve; informatën për rastet e kthimit dhe integrimit të qytetarëve në shtëpitë (pronat) e tyre dhe informatën nga DSHPMSH, DPUMM për projektet që ndikojnë në sigurinë e qytetarëve (p.sh. ndriçimi publik, zgjerimi i shtratit të lumenjve).

Lidhur me pikën e parë të rendit të ditës, komandanti i Stacionit Policor në Podujevë, kapiteni Bekim Bislimi, raportoi për gjendjen e sigurisë në komunën e Podujevës.

Komandanti Bislimi gjendjen e sigurisë në komunë e vlerësoi të qetë dhe stabile. Ndërsa, tha se ka pasur ngritje të rasteve të veprave të ndryshme penale, veçmas vjedhjeve, por në këtë aspekt janë arritur rezultate të mira në identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar për përfshirje ne vepra penale. Gjendjen e sigurisë e kanë vlerësuar të qetë dhe stabile edhe përfaqësuesit e KFOR-it dhe FSK-së në KKSB.

Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Vezir Januzi, ka raportuar për gjendjen e pyjeve në territorin e komunës.

Lidhur me këtë çështje, drejtori Januzi përmendi dëmtimin e pyjeve nga zjarret, duke thënë se gjatë këtij viti ka pasur 51 raste të shpërthimit të zjarreve, ku janë përfshirë 82 hektarë. Ai gjithashtu potencoi rastet e dëmtimit të pyjeve nga prerësit ilegalë, duke thënë se ndaj prerësve ilegalë dhe për transport ilegal të masës drusore janë bërë 213 fletëparaqitje në polici.

Ndërsa, Liman Zeqiri – shef i Zyrës për Komunitete dhe Kthim prezantoi në KKSB informatën për rastet e kthimit dhe integrimit të qytetarëve në shtëpitë (pronat) e tyre, me thek të veçantë te riatdhesimi personave, që kanë shkuar ne vende të ndryshme të Evropës. Me këtë rast, Zeqiri tha se gjatë këtij viti janë riatdhesuar 183 persona, të cilët janë kthyer nga vende të ndryshme të Evropës Perëndimore. Prej tyre, 10 familjeve u është siguruar strehim i përkohshëm, ndërsa gjashtë familje janë në asistencë sociale.

Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Faik Muçiqi, raportoi për projektet e re4alizuara infrastrukturore, që ndikojnë në sigurinë e qytetarëve. Lidhur me këtë, drejtori Muçiqi përmendi realizimin e projekteve të ndriçimit publik në një gjatësi prej 17 km, të cilat janë realizuar në qytet dhe në fshatrat Orllan e Kërpimeh si dhe në segmentin përgjatë rrugës magjistrale, deri në fshatin Shtedim. Ai gjithashtu përmendi zgjerimin dhe pastrimin e shtratit të lumenjve, ndërtimin e trotuareve dhe disa urave, si dhe projekte të tjera që ndikojnë drejtpërdrejt në sigurinë më të mirë qytetarëve.

Në takimin e sotëm, KKSB formoi edhe Grupin punues për hartimin e Planit të punës për vitin 2019; Grupin punues për përgatitjen e Informatës për punën e KKSB për vitin 2018 dhe Grupin për hartimin e Planit Operativ lokal( 2019-2020), sipas Strategjisë për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm 2015-2020./Llapi.info