Balli Kombëtar Demokrat, dega në Podujevë, ka bërë zyrtare kandidaturën e Gazmend Islamit për kryetar të Komunës së Podujevës, raporton Llapi.info.

Në një komunikatë për medie, OBKD ka thënë se ekipit të kësaj partie po i bashkohen kandidatë, të cilët, sipas komunikatës, i kanë dhënë frymë të re politikave të djathta.

“Për zgjedhjet lokale, Organizata Balli Kombëtar Demokrat do të garojë edhe për të parin e Llapit! Ekipit tonë po i bashkohen për çdo ditë, kandidat që i dhënë frymë të re politikave të djathta! Të gjithë ata që besojnë në filozofinë politike të konservatizmit modern evropian, e kanë vendin tek Organizata Balli Kombëtar Demokrat!  Gazmend Islami, do ti hy kësaj gare, për të sjellë frymë të re, për ta bërë Llapin shembull për qeverisje të ndershme! Ne do te fillojmë me paraqitjen e kandidatëve tanë për asamble komunale”, thuhet në njoftim.

Përveç Islamit, kandidaturat i kanë bërë zyrtare edhe Lidhja Demokratike e Kosovës me Ekrem Hysenin, AAK me Besnik Tahirin, Nisma Socialdemokrate me Xhemail Hasani. Kurse, në një intervistë, kryetari i tanishëm, Shpejtim Bulliqi ka thënë se do t’i hyjë sërish garës për të parin e Podujevës nga VV, ndërkohë që PDK-ja është në proces të përzgjedhjes së një kandidati.

Zgjedhjet lokale pritet të mbahen në muajin tetor, derisa për këtë çështje, presidentja e vendit, Vjosa Osmani ditë më parë ka mbajtur takime me krerë të partive politike./Llapi.info