Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, është mbledhur dje me datë 07.07.2020, për të diskutuar vendimet e fundit të Qeverisë dhe dhënë rekomandime për lehtësimin e gjendjes dhe përkahjes së këtij sektori.

Duke marrë parasysh gjendjen e rënduar aktuale dhe rritjen e numrit të infektuarve me virusin COVID-19, ne si Shoqatë, ju bëjmë thirrje për bashkëpunim në dhënien e kontributit tonë në dizajnimin e masave dhe praktikave më të mira dhe më të përshtatshme, të cilat do të ishin më pak të dëmshme si për bizneset tona ashtu edhe për ekonominë e vendit. Tanimë, të gjithë jemi të vetëdijshëm që nuk e kemi luksin për humbje akoma më të mëdha te vendeve të punës dhe thellim të krizës ekonomike!

Ne si Shoqatë, edhe pse kemi qenë vazhdimisht sektori më i goditur nga pandemia, kemi qenë dhe jemi të gatshëm për bashkëpunim me institucionet përkatëse. Vendimi i fundit i marë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, jo vetëm që nuk ndikon në parandalimin e përhapjes së virusit, por edhe shkatërron komplet bizneset tona dhe na shpie drejt një kolapsi ekonomik.

Si Shoqatë mendojmë që shkurtimi i orarit të punës deri në orën 21:00, neve si biznese na pamundëson operimin e mëtutjeshëm dhe na çon drejt shpalljes së bankrotit. Njëkohësisht, nuk besojmë që ky është faktor kyç që do të ndihmonte zvogëlimin e numrit te infektuarve dhe si Shoqatë besojmë qē vetëdijësimi i klientave tonë, stafit, mbajtjes së maskave dhe respektimit te masave të tjera gjithmonē në bashkëpunim me institucionet përkatëse do të ishte zgjidhje më e mirë.
Ne mbetemi të bindur që orari nuk është problemi dhe faktori kryesor por vetëdijësimi i popullatës për të mbrojtur veten dhe të tjerët duke respektuar masat e ISHPK-së.

Virusi është ekzistent, dhe ne duhet të mësohemi te jetojmë me të duke e vetëdijësuar popullatën dhe parandaluar rritjen e numrit të infektuarëve dhe jo duke fajësuar vetëm sektorë të caktuar e duke goditur vetëm biznese të caktuar. Për më tepër, nuk ka fakte dhe statistika të sakta qe vatra e virusit është Gastronomia dhe si shoqatë, ndjehemi të revoltuar nga shpifje të tilla, marrë parasysh se ne nuk veprojmë për të dëmtuar askënd kur edhe vet jemi të rrezikuar nga ky virus dhe kemi përgjegjsi ndaj vetes, familjes dhe shoqërisë.

Ju bëjmë thirrje që Institucionet kompente ti gjobisin bizneset individualisht për shkelje të masave dhe rregullave, dhe jo të veprojnë në mënyrë gjithëpërfshirëse.

Pasi që sektori i gastronomisë është i prekur direkt edhe nga vendimet e fundit, duhet urgjentisht një konsultë me akterët e këtyre sektorëve dhe vendime për shtim të përkrahjes specifike për këtë sektorë, përfshirë:

a) Riprogramimin e kësteve të kredisë;
b) Lehtësira për qasje në financa;
c) Përkrahje për pagat dhe qiratë, së paku edhe për tre muaj;
d) Shtyrje të deklarimeve dhe pagesave të tatimeve, së paku edhe për tre muaj.

Shpresojmë që këto rekomandime të mirren parasysh nga institucionet relevante, marrë parasysh rëndësinë që ky sektor ka në ekonominë e vendit, vendet e punës dhe mirëqenien e qytetarëve.