Shoqata e Gastronomëve të Kosovës po kërkon nga Qeveria e Kosovës lejimin sa më të shpejtë të dasmave dhe ahengjeve familjare.

Përmes një shkrimi në ‘Facebook’, kjo Shoqatë ka thënë se është papërgjegjësi e madhe vonesa e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qeverisë së Kosovës në marrjen e vendimit për lehtësimin e veprimtarive ekonomike në gastronomi.

“Sipas dakordimit të të gjithë hisedarëve dhe bashkëpunëtorëve nga organizatat jo qeveritare dhe institucioneve publike, ka qenë data 15 Qershor kur është pritur për tu marrë ky vendim. Tanimë jemi me datën 21 dhe kjo tregon për mospërgjegjësinë dhe pakujdesinë e institucioneve në raport me gjendjen e jashtëzakonshme ekonomike që po kalon vendi ynë”, thuhet në reagim.

Gastronomët kanë përmendur edhe mospërmbushjen e zotimeve, sipas tyre, të të gjitha qeverive për mbështetjen financiare të gastronomisë.

“Jemi duke kërkuar sqarim dhe vendimmarrje efikase në këtë periudhë të ndjeshme për sektorin e gastronomisë, por fatkeqësisht roli i institucioneve të vendit është jokonstruktiv në këtë drejtim. Çdo ditë është esenciale, dhe çdo vonesë është kritike për ne”, thuhet në reagim.

Masat e fundit të Qeverisë së Kosovës kanë hyrë në fuqi më 1 qershor, ku është hequr ora policore dhe pjesërisht mbajtja e maskës, ndërsa nga 15 qershori ishte paralajmëruar edhe lejmi mbajtjes së dasmave.