Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka mbajtur një protest në sheshin “Nënë Tereza” në kryeqytet, duke kërkuar lirimin e masave antiCOVID, shkruan Gazeta Sinjali.

Nga kjo shoqatë thanë se kjo protestë po bëhet “për t’ia çelur sytë shtetit”.

Përfaqësues të kësaj shoqate kërkuan që të lejohen të punojnë sallat e dasmave, lokalet e natës, pishinat dhe veprimtari të tjera.

Madje kërcënuan duke thënë se “do ta çelin vet derën, nëse nuk ua çelin”.

“Sot bëhen 438 ditë që jemi duke u ballafaquar me pandeminë. Kjo pandemi e ky shtet na përcolli me shumë sakrifica, me masa të papërfillshme, me pako të rimëkëmbjes të pazbatueshme, me gjoba e dënime të pashterrueshme, drejtësi selektive e konsekuenca korruptive”.

“Ky shtet pa vizion, nuk ka as plan as strategji për gastronominë, plan për hapjen e sezonës të verës Jemi shumë vonë, jemi një hap para hapjes së sezonës së verës e 100 hapa prapa rajonit”.

“Përderisa shtetet e rajonit po garojnë me njëra-tjetrën, ne duhet të mbajmë protestë për t’ia çelur sytë këtij shteti”, transmeton Gazeta Sinjali.

“Kosova nuk ka prodhim të mjaftueshëm , por tregti e shërbime. Me mbylljen e gastronomisë, ka varfëri pothuajse për tërë ekonominë. Përderisa në vendet tjera po organizohen ndejat e klubet e natës, ne duhet të mbajmë protestë për t’ia çelë sytë këtij shteti”.

“Qytetarët po shkojnë në vendet tjera, po shpërndajnë para e virus”.

“Ky shtet nuk ka kapacitet, vetëm kjo verë mund të na shpëtojë. Kërkojmë që nga qershori të hapen pishinat, dasmat e lokalet e natës. Nëse ju nuk na çelni derën, derën do ta çelim vet”, ka thënë një përfaqësues i gastronomëve.