Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi në një prononcim para mediave ka deklaruar se kanë mendime të ndryshme me PDK-në për ta dërguar në kushtetuese vendimin e Presidentes Vjosa Osmani për shkarkimin e Valdete Dakës nga pozita e kryesueses së KQZ-së.

Gashi deklaroi se fillimisht do të presin një vlerësim nga Avokati i Popullit për këtë çështje.

“Kemi mendime të ndryshme. Ne përkrahim mendimin zonjën Daka që tha do të ndjek rrugët ligjore do të presim vlerësimin e avokatit të popullit nëse i është shkel e drejta kushtetuese. Nëse nuk funksionon në këtë mënyrë, do të shohim në aspektin politik. Për momentin kemi vështrime të ndryshme”, u shpreh Gashi.

Të enjten, Partia Demokratike e Kosovës deklaroi se ka mbledhur nënshkrimet e nevojshme të deputetëve për të dërguar në Kushtetuese vendimin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për të shkarkuar Valdete Dakën nga pozita e kryesueses së Komisioni Qendror të Zgjedhjeve.

Më 14 qershor presidentja Osmani ka shkarkuar Valdete Dakën nga pozita e kryesueses së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, dhe në këtë pozitë ka emëruar Kreshnik Radoniqin, i cili është gjyqtar në Departamentin special të Gjykatës së Apelit.

Ajo ka thënë se do të ndjekë rrugët ligjore për të mbrojtur të drejtën e saj.