Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka komentuar deklaratën që nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri e kishte thënë ditë më parë në lidhje me atë se nuk do të donte të ishte në lëkurën e kandidatit për kryeministër, Avdullah Hoti.

Gashi ka thënë se Haziri këtë e ka thënë, pasi ai e kupton seriozisht rëndësinë e të qenit në qeveri.

“Lutfi Haziri e kupton si një politikan me përvojë të gjatë, si njeri që ka marrë pjesë në të gjitha proceset biseduese dhe negociuese të Kosovës e kupton seriozisht rëndësinë e të qenit në qeveri”, tha Gashi, raporton Telegrafi.


Ai shtoi se deklarata e Hazirit ka qenë solidaritet me Hotin.

“Unë deklaratën e Hazirit e kuptoj si solidaritet me Hotin dhe dhembshuri për procesin që do të ndodh gjatë kësaj qeverisje e se nuk do të ketë të lehtë”, tha Gashi.

Ndryshe, ditë më parë, Haziri kishte deklaruar para medieve se nuk do të donte të shihte askënd në lëkurën e Avdullah Hotit, pasi sipas tij ai do të përballet me situata jo të lehta gjatë qeverisjes së tij.