Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, gjatë fjalimit të saj në Kuvend ka kërkuar llogari se përse Zotëriu i Parë i Kosovës, Prindon Sadriu, është shfaqur me uniformë në ceremoninë e vizitës së ushtarëve të FSK-së në kuadër të operacionit ‘Defender Europe’, duke thënë se prezenca e tij, e zbehu imazhin e FSK-së.

“Me apo pa dashje u zbeh imazhi i FSK-së dhe të ngjarjes dhe kjo u bë nga institucionet e vendit dhe ne po i adresojmë qeverisë disa pyetje dhe të na bëjë të qartë edhe neve si deputet por edhe qytetarëve të Kosovës. Prezenca e bashkëshortit të presidentes e zbehu këtë ngjarje”, ka thënë ajo.

Më tutje Musliu i ka pasur edhe disa pyetje për qeverinë lidhur me prezencën e bashkëshortit të presidentes në këtë ceremoni.

“Çfarë grade mbanë Prindon Sadriu në FSK? Si rezervistë që është ai, ai është i obliguar në trajnime. Kur është ftuar dhe në sa trajnime ka marrë pjesë? Kur dhe ku i realizuar ato.? A ka pasur ftesë për të marrë pjesë në këtë ceremoni dhe nga kush është ftuar? Nëse nuk ka pasur ftesë atëherë në çfarë cilësie ka marrë pjesë në këtë ceremoni.? Nëse ka qenë i ftuar si burri i presidentes pse ka veshur uniformë? Nëse ka qenë i ftuar si rezervistë pse është renditur krahë gjeneralit të FSK-së kur këtë nuk ja lejon grada që ai e mban. A është kjo e gjitha shkelje e protokollit ushtarak, e ligjeve dhe rregullave të aprovuara, që është shkelje e rregullores”, ka thënë ajo.