Galeria Kombëtare në kërkim të drejtorit me konkursin e tretë

Galeria Kombëtare në kërkim të drejtorit me konkursin e tretë

Një muaj pasi Këshilli Drejtues i Galerisë Kombëtare të Kosovës ka ndërhyrë në Statutin e këtij institucioni për t’i zbutur kriteret e zgjedhjes së drejtorit, Ministria e Kulturës ka hapur konkursin për këtë pozitë.

Prej sot (e enjte) konkursi për drejtuesin e ardhshëm të GKK-së do të jetë i hapur për 15 ditë.

“Të mërkurën, kemi marrë aprovimin nga Ministria e Administratës Publike. Menjëherë pas këtij aprovimi do të procedojmë me hapje të konkursit. gjë e cila do të bëhet të enjten”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Veton Firzi. Këshilli Drejtues i Galerisë Kombëtare të Kosovës dhe Ministria e Kulturës pas dështimit të dy konkurseve kishin vendosur që të zbusin kriteret.

“Për drejtor të Galerisë zgjidhet personi me përgatitje universitare dhe me përvojë së paku pesëvjeçare në pozita menaxhuese në fushën e artit dhe të kulturës”, shkruhet në Statutin e GKK-së të nxjerrë në tetor të vitit 2012. Bazuar në këto kritere, në nëntor të vitit të kaluar ishte hapur konkursi për drejtor të këtij institucioni, thirrje kjo që doli të jetë e pasuksesshme.

“Ka qenë problem, sepse ishte vështirë të gjenim kandidatë që kishte pesë vjet përvojë pune në një institucion. I kemi zbutuar pak kriteret. E kemi bërë ‘pesë vjet përvojë pune profesionale’. Kjo ka dallim goxha shumë”, kishte thënë Adriana Marku–Sedaj, kryetare e Këshillit Drejtues të GKK-së në fund të muajit të kaluar kur edhe kishte hyrë në fuqi Statuti i ri i GKK-së.

Galeria Kombëtare e Kosovës nuk kishte arritur të bëhej me drejtor nëpërmjet konkursit publik pasi vetëm një nga shtatë kandidatët i kishte plotësuar kriteret dhe kushtet e konkursit të cilin Ministria e Kulturës e kishte anuluar në ditën e dytë të dhjetorit.

Konkursi publik ishte hapur pas tentimit të MKRS-së që këtë institucion ta bëjë me udhëheqës nëpërmjet rekrutimit të brendshëm, që ishte cilësuar se është në kundërshtim me Ligjin për institucionet e kulturës dhe vetë Statutin e GKK-së.

Në konkursin publik, pos ushtruesit të detyrës, Zeni Ballazhi, postit të drejtorit të GKK-së ia kishin mësyrë edhe Arta Agani, Mehmet Xhemajli, Vesta Nura, Fikret Demiri, Ersin Shishko dhe Genc Rezniqi.

“Arsyeja përse është anuluar, është se katër kandidatë i kanë plotësuar disa kritere, por jo edhe përvojën e punës e cila ceket në konkurs. Përveç Vesta Nurës, që i plotësonte të gjitha kushtet e kriteret, të tjerët s’i kanë plotësuar dhe është dashur ta anulonim”, kishte thënë Adriana Marku–Sedaj, kryetare e Këshillit Drejtues të GKK-së, i cili përbëhet edhe nga: Esat Valla, Ismet Jonuzi, Kimete Berisha, Luan Shllaku dhe Nexhat Krasniqi-Nekra.

Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit, kishte publikuar njoftimin për anulimin e konkursit për drejtor të Galerisë, ku kishte dhënë edhe arsyetimin zyrtar të Këshillit Drejtues.
Këtë e kishte kundërshtuar ushtruesi i detyrës së drejtorit të GKK-së, Zeni Ballazhi.

Galeria Kombëtare e Kosovës është pa drejtor prej gushtit të viti të kaluar, kur Erzen Shkolollit i skadoi mandati katërvjeçar në krye të këtij institucioni. Me ushtrues detyre udhëhiqet tash e pesë muaj.