Presidenti i La Ligës së Spanjës, Javier Tebas ka thënë se planifikohet që top-ligat nacionale evropiane dhe garat evropiane të klubeve të vazhdojnë në mes të muajit maj, pas shtyrjes së Evropianit për vitin tjetër.

Pandemia e koronavirusit ka bërë që të pezullohet i gjithë futbolli në nivel klubesh. Evropiani është shtyrë për vitin tjetër dhe kjo do të thotë që ka më tepër kohë për ligat nacionale.

“Janë prekur 30 liga, 30 turne të Kupës dhe ne duhet të koordinohemi për garat kombëtare dhe ato ndërkombëtare”, ka thënë Tebas, njofton të premten BBC.

“Në mes të muajit maj ne duhet të kthehemi me garat evropiane. Nëse rrethanat lejojnë, ne do t’i përmbahemi këtij afati. Duhet të punojmë së bashku”.

Të enjten pezullimi i futbollit në Angli është vazhduar deri më 30 prill. Autoritetet kanë siguruar që kampionati do të luhet deri në fund.