Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, u takua sot me Drejtoreshën për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim në Komisionin Evropian, Genoveva Ruiz-Calavera.

Në takim, ku ishin pjesëmarrës edhe ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyçi dhe anëtarë tjerë të kabinetit qeveritar, u diskutua lidhur me përmbushjen e Agjendës së Reformës Evropiane.

Tahiri me këtë rast, njoftoi drejtoreshën Ruiz-Calavera se tashmë Ministria e Drejtësisë ka përmbushur obligimet e dala nga Agjenda e Reformave Evropiane, duke hartuar edhe Pakon e Ligjeve për Gjyqësorin, Pakon e Ligjeve Kundër Korrupsionit, si dhe me nisjen e procesit të Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit.

“Fuqizimi i sundimit të ligjit në Kosovë është i pa alternativë dhe ndërlidhet me ndërtimin e rrugës drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Kjo nënkupton që puna jonë është dhe do të bëhet edhe më e vështirë, pasi nënkupton përmbushjen e pritshmërive që vetë i kemi vendosur, në mënyrë që të arrijmë rezultate për vendin tonë. Këto rezultate nënkuptojnë bërjen e gjyqësorit më efikas, përmirësim në fushën e respektimit të të drejtave njerëzore, luftimit me sukses të korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe krijimit të një atmosfere të duhur për të bërë biznes dhe për tërheqjen e investimeve të huaja” tha ministri Tahiri.

Gjatë raportimit, ministri Tahiri tha se në punën në ndryshimet ligjore, janë udhëzuar nga parimet mbi të cilat është ndërtuar vetë Bashkimi Evropian.

“Ministria e Drejtësisë, gjatë hartimit të legjislacionit, ka marrë si udhëzues të saj parimet mbi të cilat është ndërtuar vetë Bashkimi Evropian, duke hartuar norma ligjore që respektojnë të drejtat njerëzore dhe liritë themelore, duke përfshirë masa që luftojnë korrupsionin si dhe duke inicuar aktivitete siç është Rishikimi Funksional i Sektorit të Sundimit të Ligji.