Ministri i Mbrojtjes, Amrend Mehaj ka bërë të ditur se FSK është e gatshme t’i dalë në ndihmë shtetit të Austrisë, pas përmbytjeve që kanë ndodhur në këtë shtet gjatë ditës së sotme.

Mehaj përmes një postimi në Facebook, ka treguar se i është drejtuar me një letër ambasadorit austriak në Kosovë, ku i ka shprehur gatishmërinë e FSK për të ndihmuar në këtë situatë.

“Pas Gjermanisë, Belgjikës, Holandës e Luksemburgut, sot nga përmbytjet ka pësuar edhe Austria. Me përgjegjësinë më të madhe, me letër zyrtare ju kam drejtuar ambasadorit austriak në Kosovë, z.Weidinger, ku shpreha vullnetin e plotë për mbështetjen e autoriteteve austriake me kapacitetet tona operacionale të specializuara të FSK-së në dispozicion, për menaxhimin e situatave të ngjashme”, ka shkruar Mehaj.

Mehaj më tej ka theksuar se “Maksima jonë tradicionale “Miku i mirë në ditë të vështirë” ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë vlerë e natyrshme e popullit dhe shtetit tonë”.