Modlareuth, një vendbanim i vogël bujqësor që ndodhet në gjysmë të rrugës ndërmjet Berlinit dhe Munichut, në pjesën rurale të Gjermanisë, i ka rreth pesëdhjetë banorë dhe vetëm një pub. Sidoqoftë, ky vend tërheq dhjetëra mijëra vizitorë për çdo vit.

Posa mbërrin atje, arsyeja të bëhet e qartë. Midis tetëmbëdhjetë shtëpive dhe fermave shtrihet një rrip 100-metërsh i murit të bardhë të betontë, që dikur ishte pjesë e kufirit midis Gjermanisë Lindore dhe asaj Perëndimore.

I ndarë prej Murit të Berlinit, muri i brendshëm gjerman ishte afro 1400 kilometra i gjatë dhe ndau dy Gjermanitë prej 1949-s, kur sovjetikët krijuan Gjermaninë Lindore, e deri më 1989, kur nisi shembja e barrierave kufitare. Modlareuth shtrihej mu në shtegun e këtij muri, gjë që asokohe nënkuptonte se një pjesë e fshatit të qetë ishte në Lindjen socialiste dhe tjetra në Perëndimin capitalist, transmeton sot Koha Ditore.

Ky mur tani është pjesë e Muzeut të Modlareuthit, krahas një kulle vëzhgimi, një rrethoje metalike dhe relikteve të tjera. Pubi i sipërpërmendur, i hapur më 2002, quhet “Zum Grenzgänger” – “Kaluesi i kufirit”, derisa fshatin ende e njohin si “Berlini i vogël”.

Sot turistët e pajisur me kamera ua kanë zënë vendin rojave të armatosura. Dhe, derisa vizitorët dhe banorët lokalë tani mund të ecin lirshëm prej një pjese të fshatit tek tjetra duke i shpërfillur shenjat e moçme paralajmëruese, ata, megjithatë, e kalojnë një kufi tjetër, më pak të dukshëm: kufirin midis shteteve federale të Bavarisë dhe Thuringenit.

Rrëfimi që nis tek lumi

Rrëfimi se si ky fshat dikur u takonte dy sistemeve të kundërta politike, ekonomike dhe sociale është magjepsës. Gjithçka nis tek lumi i fshatit.

Më 1810, gurët e kufirit ishin vendosur përgjatë brigjeve të lumit Tannbach, për të ndarë dy shtete sovrane gjermane: Mbretërinë e porsazgjeruar të Bavarisë dhe Principatën e Reussit. Këta gurë, në të cilët janë gdhendur inicialet “KB” dhe “FR” mund të shihen edhe sot.

Të dyja palët u bënë pjesë e Perandorisë së bashkuar Gjermane më 1871….(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)