Një nënë ka zbuluar frikën e saj më të madhe pasi këtë javë iu tha se kanceri i zorrëve, i është rikthyer – vetëm tre muaj pasi u shërua.

Tanya Davies, 32 vjeçare, thotë se shqetësimi më i madh është ajo që do të ndodhë me dy djemtë e saj, Jack tetëvjeçar dhe Ben 14, nëse ajo vdes, transmeton Klan Kosova.

Të shtunën e kaluar, Tanya uli fëmijët e saj dhe iu kërkoi atyre që ta premtonin se ata gjithmonë do të kujdesen për njëri-tjetrin, nëse asaj i ndodh diçka.

Ata u zotuan se do ta bëjnë këtë gjë, megjithatë nuk e kuptuan plotësisht arsyen.

Një ditë më parë, mjekët i thanë Tanyas se kanceri i saj përveç se i është rikthyer, është përhapur rreth trupit në vetëm gjashtë javë.

“Unë jam e shqetësuar për atë që mund të ndodhë me fëmijët e mi. Nëse më ndodh ndonjë gjë, dua që ta di se ata do të jenë në rregull”, tha ajo.

Tanya fillimisht kishte dhimbje barku, megjithatë, rrezet X, skanimet dhe analizat e gjakut nuk arritën të japin përgjigje.

Ajo tha: “Barku im ishte i fryrë, sikur isha nëntë muaj shtatzënë. Unë u diagnostikova me një kistë në stomak. Sa më shumë që ditët kalonin, aq më shumë rriteshin dhimbjet”.

Tanya tha se ajo ishte keq dhe përfundimisht vendosi të operohej – dhe një kirurg zbuloi një tumor prapa zorrës së saj.

Më shumë se 40 mijë britanikë diagnostikohen me kancer të zorrëve në vit, megjithatë më të prekur janë meshkujt më të vjetër dhe shumë më rrallë në gratë e reja.

“Për fat të keq, unë jam një në një milion”, tha ajo, transmeton Klan Kosova.

Para Krishtlindjes, Tanya mendoi se makthi i saj kishte përfunduar. Tani testet tregojnë se asaj i është përhapur kudo, duke përfshirë edhe mëlçinë.