Shoqata Humanitare “Jetimat e Ballkanit”, në vazhdën e aktiviteteve të saj, kësaj radhe ka qëndruar te familja 9 anëtarëshe e Emin Islamit, nga fshati Dyz, komuna e Podujevës.

I zoti i shtëpisë, Emini, si pasojë e plagëve të cilat i ka marrë gjatë luftës, në Kosovë, është në gjendje të vështirë shëndetësore, me ç’rast ai ka mbetur i papunë.

Kjo familje nuk përfiton as nga skema sociale, duke e vështirësuar edhe më tepër gjendjen e tyre ekonomike.

Fëmija më i madh i familjes është 15 vjeçar, ndërsa gjashtë fëmijët e tjerë janë vocërrakë në fytyrat e të cilëve shihet skamja dhe mjerimi.

E zonja e shtëpisë, Sabrija, tregon se shtëpia në të cilën jetojnë, ka kushte të mjerueshme. Ajo tregon se sa shumë e mërzitë fakti që nuk mund t’ua plotësoj kërkesat fëmijëve të saj. Madje ata vuajnë që ta sigurojnë edhe kafshatën e gojës.

“Të ardhura spo kemi kurkund. Nuk po kemi ormana dhe spo kemi as ku t’i vendosim teshat. Kemi nevojë për një shtëpi me na ndihmu me ndërtu. Me na vendos disa dyer dritare”, ka sqaruar Sabrija. /Telegrafi