I menjëhershëm ishte dorëzimi i Qeverisë së Spanjës pasi Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) reagoi fuqishëm ndaj diskriminimit që shteti spanjoll ua bëri sportistëve të Kosovës.

Më 11 nëntor një zyrtar i lartë i IOC-së deklaroi se do t’iu sugjerohet federatave ndërkombëtare sportive që të mos ia japin Spanjës të drejtën e organizimit të ngjarjeve të rëndësishme sportive për aq kohë sa ajo nuk siguron trajtim të barabartë për të gjithë pjesëmarrësit, pra edhe për sportistët kosovarë. Dhe menjëherë më 14 nëntor, të mërkurën, Qeveria spanjolle njoftoi se do të ofrojë vizat e nevojshme për sportistët kosovarë dhe do t’ua lejojë atyre simbolet shtetërore në ngjarjet sportive që mbahen në këtë vend.

Kjo u vlerësua të jetë një fitore e madhe e sportit ndaj politikës, një fitore e madhe e IOC-së si organizatë ombrellë sportive, por në mënyrë indirekte edhe një fitore e madhe politike e sportit kosovar, shkruan sot Koha Ditore.

Deri më tash sportistët kosovarë kanë pasur shpesh vështirësi të natyrës politike, por edhe sukseset politike të Kosovës falë sportit kanë qenë prezente. Nuk kanë qenë shumë të shpeshta, por janë vlerësuar me peshë të madhe.

Shumë prej sukseseve politike të sportit ishin të lidhura me xhudon, sportin bindshëm më të suksesshëm të vendit. Dhe bëhet fjalë për ngjarje të mbajtura në vende që nuk e njohin shtetin e Kosovës.