Filmi “Babai” në Berlinale

Filmi “Babai” në Berlinale

Këtë vit, në edicionin e 66-të të Berlinales pjesë e programit do të jetë edhe filmi “Babai” nga Visar Morina, i cili do të shfaqet në kuadër të programit Lola at Berlinale. Filmi do të shfaqet të premten me datë 12 shkurt në ora 16 në kinemanë “Zoo Palast”.

Ky film është një ndër filmat më të suksesshëm të kinematografisë tonë dhe së fundmi protagonisti i filmit Astrit Kabashi fitoi çmimin aktori më i mirë në festivalin Angers Film Festival në Francë.

“Babai” shtjellon rrëfimin e Norit (Val Maloku) një fëmijë i cili shet cigare në rrugë bashkë me të atin Gëzimin (Astrit Kabashi) në Kosovën e viteve të nëntëdhjeta ku babai dëshiron të gjejë një mënyrë për të emigruar në Gjermani e i biri bën çdo gjë për të qenë me të.

Të zënë në mes të dëshirës për të qenë së bashku dhe nevojës për t’u ballafaquar me realitetin e vështirë, marrëdhënia babë-bir zhvillohet deri në pikën ku asgjë mes tyre nuk është më ashtu si ka qenë.

Filmi “Babai” është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe nga fondacionet gjermane të filmit si Film und Medien Stiftung NRW, fondacioni FFA, fondacioni Nordmedia, pastaj Fondi Maqedonas i Filmit, fondacioni francez Cinema Du Monde dhe nga televizioni publik gjerman WDR si dhe televizioni publik gjermano-francez ARTE dhe është prodhim i NikoFilm, Gjermani, Produksioni Krusha, Kosovë, Skopje Film Studio, Maqedoni dhe Eaux Vives Productions, Francë.