Objekti i administratës së re komunale në Podujevë pati filluar së ndërtuari para rreth nëntë vjetësh, në të cilin u shpenzuan një milion euro. Fillimi i punës ishte premtuar në vitin 2013, por tek tani është finalizuar, shkruan Llapi.info.

Probleme të shumta solli funksionalizimi i këtij objekti, me ç’rast në fund dolën edhe defekte. Mosmarrëveshje pati edhe mes zyrës së BE-së dhe kontraktuesit të parë. Ky objekt ishte donacion nga Komisioni Evropian.

Por, tani zyrtarët komunalë thonë se tashmë janë sanuar këto defekte dhe është bërë transferimi i gjithë personelit të administratës, pas gati shtatë vjetësh vonesë.

“Ndërtimi i objektit të ri të Administratës Komunale ka filluar para disa vitesh dhe ka përfunduar në vitin 2019, por gjatë pranimit teknik të objektit janë evidentuar disa defekte. Pas sanimit të lëshimeve-defekteve të evidentuara në objektin e ri të administratës komunale, tashmë i gjithë personeli i administratës është vendosur në objektin e ri”, ka thënë për Llapi.info, zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Nazmi Elezi.

“Organizmi dhe ndarja e drejtorive është bërë sipas planifikimit në sistem të hapur. Objekti i ri ofron kushte më të mira për punë të administratës, por edhe për shërbime më efikase për qytetarët”, ka  shtuar Elezi.

Edhe pse tejzgjati vënia në funksion, pakënaqësi kanë dalë edhe tani. Ankesa ka edhe nga vetë punëtorët e kësaj  administrate, pasi që siç thonë ata, 20 deri në 30 punëtorë punojnë në një sallë të vetme. Sipas tyre, në këtë rast mund të cenohet privatësia e qytetarëve, e sidomos për ato raste sociale.

E në lidhje me këtë, Elezi ka thënë se ka hapësira që mund të evitohen këto probleme.

“Pavarësisht sistemit të hapur, brenda sektorëve ekzistojnë hapësira të ndara, në të cilat mund të priten palët, në rastet kur vlerësohet se mund të cenohet privatësia e tyre”, ka përfunduar ai.

Përveç kësaj, edhe salla ku mbahen mbledhjet e Kuvendit është e vogël në krahasim me atë të vjetrën. Kjo është kritikuar edhe nga shoqëria civile në Podujevë. Në një emision televiziv, Shemsi Jashari ka thënë se është përjashtuar publiku nga mbledhjet e ndryshme në sallën e Kuvendit.

“Salla e punës së Kuvendit që shfrytëzohet për mbledhje është aq e vogël sa nuk parasheh mundësi që publiku të marrë pjesë, pasi që janë vetëm shtatë ulëse jashtë asamblistëve. Pra, i bie që me këtë është përjashtuar publiku prej pjesëmarrjes që është e drejtë me qenë aty”, ka thënë Shemsi Jashari nga rrjeti i OJQ-ve “Demokracia Fillon Këtu”. /Llapi.info