Festa për Kadarenë gjallëron qytetin “me hije të rëndë mesjetare”

Në 80-vjetorin e lindjes së shkrimtarit shqiptar me nam botëror Ismail Kadare, veprat e tij kanë “pushtuar” qytetin e lindjes, Gjirokastrën.

Banorë vendës, qytetarë të ardhur nga vise të tjera shqiptare dhe ndërkombëtarë që jetojnë në Shqipëri kanë lexuar pjesë nga krijimtaria e Kadaresë në disa kënde të qytetit gjatë ditës së enjte. Manifestimi për shënimin e jubileut të shkrimtarit, i cili nga viti 1989 jeton në Paris, i ka dhënë frymë feste gjithë Shqipërisë.

Por në këto aktivitete ka munguar vetë shkrimtari, duke u arsyetuar se kjo nuk varej nga ai personalisht. E botuesi i veprave të Kadaresë, Bujar Hudhri, arsyen e mungesës së shkrimtarit e ka justifikuar me deklarimin se “Kadare nuk i ka shumë për zemër jubiletë”. Aktivitetet kanë mbuluar edhe Tiranën, por epiqendra e festës së kësaj dite ka qenë “qyteti i gurtë”, që e ka nisur festën me aktivitetin “Gjirokastra lexon Kadarenë”.

Në prani të shumë pjesëmarrësve, zyrtarët e Bashkisë së Gjirokastrës kanë fikur edhe qirinjtë e tortës së porositur për këtë datë. Në anën e majtë, torta në forme libri ishte e mbuluar me portretin e romancierit më të njohur shqiptar, përderisa në anën e djathtë ishte shkruar thënia e Kadaresë: “Ka gjithmonë kohë, që njerëzit të bëjnë diçka për popullin e tyre”.

Pos gjirokastritëve që kanë lexuar pjesë nga veprat e Kadaresë, i pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe zëvendësambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Wilton. Wilton ka recituar vargjet e njohura të poezisë “Kristal”, të përkthyera në anglisht nga vetë ai. Manifestimet e Gjirokastrës, sikurse ato të krejt jugut shqiptar, shoqërohen edhe me polifoni. Por kjo e ditës së enjte ka qenë më e veçantë. Një grup të rinjsh me veshje kombëtare pas interpretimit kanë kërkuar që grupi i tyre të pagëzohet me emrin e shkrimtarit.

“Kur mendojmë për Shqipërinë, të mendojmë për Kadarenë. I mësove botës mbarë se shqiptarët janë njerëz me vlerë”, janë dy nga vargjet e kënduara nga ky grup fëmijësh. Kryetarja e Bashkisë së Gjirokastrës ka lexuar një fragment nga vepra “Kronikë në gurë”, të cilën shkrimtari e ka shkruar në rininë e tij, ku përshkruhet qyteti i gurtë bashkë me të gjitha zakonet e tij. Shtëpia e Kadaresë është restauruar për nder të ditëlindjes së shkrimtarit.

Banorët lokalë, sipas traditës, atë e quajnë “Shtëpitë e Kadareve”. Si muze do të hapë dyert për vizitorë të shtunën e kësaj jave.
Pikërisht në këtë hapësirë piktori Bashkim Ahmeti ka hapur një ekspozitë, ku janë bërë bashkë portretet e Kadaresë dhe motivet e veprave të tij. Vetë shkrimtari, veprat e të cilit janë përkthyer në rreth 50 gjuhë nëpërmjet një letre drejtuar kryebashkiakes së qytetit, ka përshëndetur bashkëqytetarët e tij.

“Në pamundësi për të qenë midis jush, për arsye që nuk varen prej meje, do të doja që, me anë të kësaj letre t’ju shprehja gjithë falënderimin tim, gjithë emocionin dhe, pse jo, mallëngjimin për ftesën tuaj të fisme, për të qenë pjesëmarrës në një ngjarje të gëzueshme, që lidhet me jetën time, më saktë, me shtatëmbëdhjetë vitet e para të saj”, shkruhet në letrën e Kadaresë drejtuar Ramit. “Mendoj se jam i besueshëm në qoftë se do të them se jam përpjekur të ruaj marrëdhënie të përhershme me qytetin tim të lindjes, duke pasur bindjen në këtë rast, se ajo çfarë kam dashur t’i jap ka qenë gjithmonë më e paktë se ajo që më ka dhënë ai”, shkruhet në letër. I është drejtuar Ramit duke i thënë se ajo drejton Bashkinë e qytetit, që shkrimtari në adoleshencë e ka quajtur të çuditshëm.

“Me këtë cilësim, lidhej, me sa dukej, pamja e tij e pazakontë dhe ndërlikimet, që mendja ime s’i kapte dot. Që një grua e re si ju, do të drejtonte një ditë qytetin me hije të rëndë mesjetare, kjo do të përbënte një nga befasitë e tij të radhës. Pa dashur të zgjatem, do të shtoja se këto befasi ngjanin shpesh të vështira, por ato sillnin me vete fat. Duke ju uruar gjithë të mirat dhe duke përshëndetur nëpërmjet jush gjithë bashkëqytetarët e mi, ju përqafoj”, shkruhet në letrën e Kadaresë.

Ky vit nga autoritetet shqiptare është emëruar “Viti i Kadaresë”.
Mbrëmjen e së enjtes në Tiranë është inskenuar drama më e njohur e shkrimtarit. “Kush e solli Doruntinën” vjen para publikut pas një kohe të gjatë, e kësaj radhe rolet i luajnë aktorët: Margarita Xhepa, Bujar Lako e Viktor Zhusti. Një qendër për studimet e letërsisë shqipe do të mbajë emrin “Kadare”, në nderim të shkrimtarit. Ajo do të funksionojë pranë Universitet Evropian të Tiranës nën drejtimin e pedagogut Gilman Bakalli, me synimin për të ngritur një vatër të kritikës letrare.

“Hapim kështu një qendër të studimeve të letërsisë shqipe në një kohë kur kritika letrare thuajse ka vdekur në Shqipëri. Pikërisht në këtë kohë kur kritika letrare ka një nam kaq të keq, ne po vendosim një theks korrektiv për të treguar sesi mund të bëhet një kritikë letrare”, ka thënë Gilman Bakalli.
Në po këtë ditë të shënuar, studiuesja Viola Isufaj ka promovuar botimin e saj “Kadare, në letrat e sotme franceze”.

“Me këtë libër unë jam ndalur në dy pjesë, të cilat ndoshta duken sikur nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën, por në një këndvështrim shumë të gjerë ato i bashkon reflektimi i letërsisë së Kadaresë në letërsinë franceze”, ka thënë Isufaj. Studimi sjell ndikimin e romanit “Kush e solli Doruntinën”, si pjesë e programit mësimor, me të cilin njihen rreth dy milionë nxënës francezë. Por, botuesi i veprave të Kadaresë, Bujar Hudhri, ka theksuar se përurimi i Shtëpisë Muze të Kadaresë është i vonuar, çfarë e ka brengosur vetë shkrimtarin tash e 20 vjet.

“Më kujtohet një intervistë, më duket e ish-kryeministrit Aleksandër Meksi, kur në vitin 1996 takonte në Gjirokastër ish-kryetarin e Bashkisë, Bashkim Fino, të cilit i thoshte: ‘Tani kemi filluar restaurimin e shtëpisë së Kadaresë’. Pra e kuptoni, 20 vite më parë. Ky ka qenë trishtimi më i madh i Kadaresë, sepse shtëpia e tij është në disa vepra të tijat dhe çdo lexues i tij duket sikur ka qenë në shtëpinë e tij”, ka thënë botuesi Hudhri. Kryeministri i Shqipërisë ka qenë i shkurtër në urimin e tij për Kadarenë në llogarinë e tij në rrjetin social “Facebook”.

“Edhe 100”, ka shkruar Rama duke e shoqëruar urimin me një portret të shkrimtarit. Urime ka pasur edhe nga Kosova, e njërin prej tyre e ka bërë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, të cilin e ka cilësuar si “krenaria e kulturës shqiptare në botë”. Por në Kosovë, pos një ekspozite në prill, deri më tani nuk është paralajmëruar ndonjë aktivitet për atë që Shqipëria e ka shpallur “Viti i Kadaresë”.