Xhiroja e 25-të në Superligen e Kosovës në futboll vijon edhe sot me dy ndeshje mjaftë interesante, por që vëmendja do të jetë në Drenas ku Feronikeli është nikoqir i Llapit, njofton Llapi.info.

Ndeshja luhet në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, me fillim nga ora 17:00.

Llapjanët udhëtojnë në këtë ndeshje pas disfatës së pësuar në Podujevë nga Drenica, kurse Feronikeli mposhti Dukagjinin.

Djelmoshat e udhëhequr nga Tahir Batatina synojnë arkëtimin e pikëve të plota në këtë takim për t’i mbajtur “gjallë” shpresat për gara evropiane, ndërkohë që tre pikë në konakun e tyre i kanë për synim edhe vendasit.

Pas 24 javëve, Llapi radhitet në pozitën e gjashtë me 37 pikë të tubuara, tri pikë më pak se Feronikeli që gjendet në pozitën e pestë.

Takimi i sotëm do të drejtohet nga gjyqtari Dardan Çaka, i asistuar nga Erduan Baliqi dhe Fatmir Abrashi.

Për shkak të masave kundër COVID-19, ndeshja do të luhet pa praninë e tifozëve./Llapi.info