Këshilltari i zgjedhur për Kuvendin e Podujevës, Fatri Zhitia nga Lëvizja Vetëvendosje është emëruar sërish si zëdhënës i Komunës së Podujevës, raporton Llapi.info.

Kështu ka bërë të ditur vetë Zhitia në një postim në Facebook, duke njoftuar se pas emërimit ka dorëzuar mandatin e asamblesë komunale.

“Dua t’ju njoftoj se sot kam dorëzuar mandatin e këshilltarit të Kuvendit Komunal në Podujevë, meqenëse sot jam emëruar në detyrën e Zëdhënësit të Komunës së Podujevës nga kryetari, Shpejtim Bulliqi. Këtë detyrë do të angazhohem ta kryej me përgjegjësi të lartë morale e profesionale, duke punuar që institucioni i komunës të jetë transparent e i hapur ndaj qytetarëve dhe mediave”, ka shkruar ai.

Mandatin e tij në Kuvendin Komunal pritet ta zë Ardi Hasani. Ky i fundit është i pari në rend për nga numri i votave. Sipas KQZ-së, Hasani në zgjedhjet e tetorit ka arritur t’i marrë 434 vota.

Kuvendi i Komunës i Podujevës për këtë mandat përfaqësohet nga këshilltarë prej pesë subjekteve politike. Lidhjen Demokratike të Kosovës e përfaqësojnë 14 këshilltarë, Lëvizjen Vetëvendosje 13 këshilltarë, Partinë Demokratike të Kosovës 4 këshilltarë, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës 3 këshilltarë dhe Ballin Kombëtar Demokrat 1 këshilltar./Llapi.info