Dy deputetët të partive të koalicionit qeverisës nuk e dinë si do të veprojnë nëse në Kuvend do të shkojë një mocion mosbesimi ndaj qeverisë.

Deputeti i LDK-së, Fatmir Rexhepi i cili nuk e kishte votuar qeverinë e drejtuar nga Avdullah Hoti është shprehur i befasuar kur është pyetur nga moderatori i “Debat Plus” Ermal Panduri se si do të votonte në raport me mocionin e Vetëvendosjes nëse ai do të shkonte në Kuvend.

“Unë realisht kam prioritet tjetër në Kuvendin e Kosovës [nga ai i mocionit]. Jam në Komisionin për Buxhet dhe Financa dhe kemi punë me përballimin e pandemisë. Në këtë sezon përkrahi vetëm projektet politike që ndihmojnë në tejkalimin e pandemisë”, deklaroi Rexhepi në RTV Dukagjini.

I pyetur nëse ai nuk do ta përkrahte mocionin, Rexhepi ka deklaruar: “Unë nuk po e them këtë [se nuk e votojë mocionin], por deri në vit të ri nuk shoh punë tjera pos kapërcimit të situatës nga pandemia”.

Edhe deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi e cila nuk e kishte votuar qeverinë e Avdullah Hotit është shprehur e befasuar nga pyetja se “A do ta përkrahni mocionin e Vetëvendosjes”.

“Për besë pyetja ishte e bafasishme. Për momentin jam me COVID-19 bashkë me fëmijët në shtëpi. Kur të dal nga karantina dëgjohemi”, është shprehur Kadaj-Bujupi pa dashur të flasë më shumë në telefon për këtë temë.