Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, në një bisedë për Gazeta Blic, ka kërkuar që vendi të shkojë automatikisht në zgjedhje të reja.Ai ka thënë se mendësia e qeverisjes aktuale është antidemokratike dhe antikushtetuese, teksa shton se më të rëndësishme janë këto se individët.

Limaj thotë se Nisma Socialdemokrate, është e gatshme për zgjedhje të reja dhe se ato duhet të ndodhin.

“E kemi lëshuar edhe një komunikatë. Kjo që po ndodhë është e rrezikshme për demokracinë dhe rendin kushtetues. Nuk duhet të mundësohet zgjedhja e Vjosa Osmanit presidente. Vendi duhet të shkojë automatikisht në zgjedhje të reja. Ne si Nismë jemi të përgatitur për to, por kjo nuk është e rëndësishme.

E rëndësishme është që të ruhet fryma demokratike e këtij vendi”, ka thënë Limaj.

I pyetur se zgjedhjet eventuale të reja do të mund të prodhonin rezultat të njejtë me atë të 14 shkurtit, Limaj tha se kjo gjë nuk është e rëndësishme.Sipas tij, të gjithë duhet të reagojnë për atë që siç thotë: ka tentuar t’ia bëjë vendit qeveria aktuale gjatë ditës së djeshme. “More hiç nuk është e rëndëishme se si dalin numrat në zgjedhje të reja. E rëndësishme është ta ruajmë këtë vend. Ta ruajmë demokracinë dhe ta ruajmë frymën kushtetuese që e kemi”, ka thënë ndër të tjera Limaj.