Familja e Nezir Mehmetajt i cili u arrestua më 3 janar të vitit të kaluar në Merdar nga autoritetet serbe, ka kërkuar nga institucionet përkrahje për lirimin e tij.

Ata i janë drejtuar institucioneve vendore dhe ndërkombëtare për të ndikuar në lirimin e tij.

“Drejtuar: Ministrisë së Punëve të Jashtme, asaj të Drejtësisë, Zyrës Ndërlidhëse, Organizatës për të drejta të njeriut, Avokatit të Popullit, Odës së Avokatëve, faktorit ndërkombëtar, faktorit serb dhe mekanizmave përkatës që kanë mundësinë të ndalojnë këtë paragjykim dhe paraburgim të padrejtë ndaj qytetarit të Republikës së Kosovës.

Po ashtu i drejtohem ambasadave të huaja, mediave vendore dhe të huaja, dhe ato të Serbisë, si dhe gjithë faktorëve që mund të ndikojnë në këtë situatë të ndjeshme”, thuhet në kërkesën e familjes.

Sipas tyre, në rastin e Nezirajt bëhet fjalë për shkelje të të drejtave të njeriut pasi thonë se ai po përjeton dhunë psiqike.

Tutje shtojnë se këto akte dhe akuza janë të padrejta dhe absurde duke theksuar se për 15 muaj i është vazhduar paraburgimi.

Familja thotë se ai po gjykohet vetëm pse është shqiptar“Ne si familje gjatë gjithë kësaj kohe jemi duke punuar në mbrojtje të Nezirit, por në pamundësi për të shkuar në Serbi të shohim nga afër rrjedhën e këtij rasti, sepse me frikën ndaj pabesisë që mund të na ndodhë i njëjti fat si i vëllait tonë Nezir Mehmetaj.

E di që kemi përkrahje morale nga populli dhe kjo na bënë më të fortë, por pos mbështetjes morale presim përkrahje serioze ligjore nga institucionet përkatëse”, thuhet në kërkesë.

Prokuroria e Serbisë ka ngritur aktakuzën me pretendimin se Mehmetaj ka kryer krime lufte gjatë vitit 1999 në fshatin Rudicë të Klinës.

Mehmetaj është arrestuar më 3 janar të këtij viti në pikëkalimin kufitar në Merdar dhe që nga atëherë është në paraburgim.

Avokatët mbrojtës të Mehmetajt, kanë thënë se është hera e tretë që Gjykata ia kthen Prokurorisë lëndën për plotësim, për t’ia dhënë edhe një shans për mbledhje të provave që nuk i ka e as që ekzistojnë.