Një dyqan që kishte nisur si vend ku mund të gjesh suvenire të gatshme, nuk do t’i mjaftonte familjes Dedinja. Në fakt, do të ishte nevoja për të pasur diçka autentike, ajo që do ta shtynte familjen të prodhonte vetë suvenire që i përkasin një historie të një shteti.

Kryefamiljari i kësaj familjeje, Xhelal Dedinja, një mjeshtër çantapunues, do ta riorientonte kreativitetin e tij, pothuajse i detyruar që ta bëjë këtë. Bashkë me gruan dhe fëmijët e tyre, do të vinin në Prishtinë për të nisur një biznes të vogël. Në Mitrovicën e shkatërruar nga serbët në luftë kishin pësuar edhe shtëpia dhe biznesi i tyre i dikurshëm, ai i prodhimit të çantave, shkruan Koha Ditore.

Me dyqanin do të merrej zonja e shtëpisë, Shpresa Dedinja. Në një bisedë për “Kohën Ditore”, ajo e nis rrëfimin për prodhimin e suvenireve me motivin që e shtyri familjen në këtë gjë.

Prej gurëve të “Trepçës” deri te Helmeta ilire

“Fillimisht kemi nisur me një dyqan për shitjen e dekoreve për shtëpi. Por njerëzit kanë qenë të interesuar për diçka të Kosovës, që mund ta marrin me vete”, thotë Dedinja.

Ajo e pranon se ka qenë nevoja e tregut dhe kërkesat e klientëve ato që e kanë orientuar biznesin drejt krijimit të produkteve unike, që përfaqësojnë Kosovën. Meqë kishin përvojën e zanatliut, kjo për familjen nuk ishte edhe aq e vështirë.